Ramiz Alia takim me intelektualët 1990 (Video Arkiv) – TV KLAN

Ramiz Alia takim me intelektualët 1990 (Video Arkiv)

Dossier-Më 12 Gusht të vitit 1990 u mbajt një takim mes Presidentit Ramiz Alia dhe një grup intelektualësh të zgjedhur në Tiranë.

Takimi mes tyre erdhi pas largimit të 5300 shqiptarëve me ambasadat e huaja që ishin vendosur në Tiranë. Ka shumë debate dhe enigma rreth debateve që Presidenti Alia ka realizuar me shkrimtarin Ismail Kadare, kirurgun Sali Berisha, juristin Luan Omari, apo personalitete të tjerë të asaj kohe që morën pjesë në mbledhje.

Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu ka realizuar më datë 10.01.2008 pikërisht këtë takim dhe zhvillimet pas tij. Në fillim të vitit 1990 klasa politike shqiptare ishte tejet e tronditur për dy arsye: Në Rumani kishte rënë regjimi i fundit komunist në Europën Lindore, përjashtuar Bashkimin Sovjetik, ishte pushkatuar diktatori Nikolai Çaushesku dhe gruaja e tij Elena. Dukej se Shqipëria ishte dominoja e fundit dhe 17 vite më pas, Ramiz Alia deklaronte se Shqipëria do të rrëzohej, por nuk ishte i gatshëm të ndërmerrte hapin e pluralizmit politik.

“Pas përmbysjeve që ndodhën në vendet e lindjes të vinte mendimi se ajo që ndodhi atje do të ndodhte edhe në Shqipëri. Ishte e qartë që Lufta e Ftohtë nuk do të kufizohej me rrëzimin e sistemit socialist vetëm në një pjesë, do t’i përfshinte të gjithë. Mundësia e përmbysjes së regjimit socialist në Shqipëri ishte evidente, ndaj ne u përpoqëm të merrnim disa masa që ta lehtësonim këtë kalim. Masat që morëm ne ishin vendime të rëndësishme në fushën politike dhe ekonomike. Në atë kohë filluan kontaktet me botën e jshtme, liria në qarkullim dhe liria e fjalës. Në atë kohë mendimi im ishte që të gjitha këto masa nuk dilnin jashtë kuadrit të sistemit socialist. Në atë kohë nuk isha gati as për pluralizmin politik, as për t’i hapur rrugë ekonomisë kapitaliste të tregut”, tha Presidenti Alia.

Edhe pse Ramiz Alia nuk ishte i përgatitur për sistemim pluralist, gjërat kishin filluar të lëviznin. Fillimisht në Shkodër, në fund të Janarit tentuan të rrëzojnë bustin e Stalinit që ishte vendosur në qendër të qytetit. Më pas në Mars, në Kavajë nisën protesta masive pas një ndeshje futbolli që përfundoi me vrasjen e një djali të ri, Josif Budës.

“Pas ngjarjes së Shkodrës, Kavajës, apo pakënaqësive dhe shkrimeve që nisën të shkruajnë disa intelektualë, si Kadareja apo Berisha, asnjëri nga këto nuk propozonte të ndryshonte sistemi. Ata bënin vërejtje për çështje të caktuara. Kjo nënkuptonte që duhej të lëviznim. Ndryshimet ishin bërë të domosdoshme. Ndryshimi kishte të bënte me faktorin e jashtëm, ishte e interesuar bota perëndimore”, shtoi Alia.

Por Ramiz Alia, i cili ishte në krye të udhëheqjes komuniste nuk ishte i gatshëm të bënte ndryshime drastike. Për të përcaktuar vijën e tij dhe për të shprehur se do të bëheshin ndryshime, por nuk do të përmbysej sistemi komunist, ai shkon në Kombinatin e Autotraktorëve në Tiranë për të dhënë mesazhin e tij.

“S’tundet Taraboshi nga era”, tha në fjalimin e tij Alia.

Në fillim të vitit 1991, një nga kamerat e para që hyri në Shqipëri ishte ajo e stacionit amerikan ABC, që pasqyroi situatën e rënduar ekonomike në vendin tonë. Pas një lloj rizgjimi të intelektualëve shqiptarë, qeveria komuniste e kohës nis të përdorë një lloj makiazhi për ta zbutur dhe për ta “demokratizuar”.

Në një nga pleniumet e zhvilluara në atë kohë ishte marrë edhe vendimi për heqjen e nenit për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor. Nen që kishte dënuar një numër të pafundëm shqiptarësh, duke filluar nga 3 deri në 10 vite burg.

Një nga personat më të survejuar nga sigurimi i asaj kohe ishte padyshim edhe një ndër njerëzit më të rëndësishëm jashtë strukturave komuniste, shkrimtari Ismail Kadare. Ai ishte në qendër të furtunës për arsye edhe të një letre që i kishte dërguar Ramiz Alias, në të cilën prekte drejtpërdrejtë drejtuesit e Sigurimit të Shtetit dhe dhunën që ata ushtronin kundrejt intelektualëve.

“Kisha gjithmonë një shqetësim dhe doja të bëja diçka. Kështu më 3 Maj të 1990, unë i bëra një letër shumë të ashpër dhe të zymtë Ramiz Alisë. Në letër përmendej shefi i Sigurimit të Shtetit, Ramizi që torturonte njerëzit, një pjesë e Byrosë Politike që shkelnin ligjet, si Rita Marku, Spiro Koleka, i biri i tij, që torturonte njerëzit. Kam përmendur edhe 10 emra artistësh, të cilët ishin të rrahur e të vrarë nga Sigurimi. Por përgjigja e tij ishte jashtë çdo përfytyrimi, dëshpëruese. Ky njeri, që dukej aq i mirëkuptueshëm, nuk jepte asnjë shenjë mirëkuptimi. Kur e lexova letrën i thashë time shoqje: “Mjerë Shqipëria që ka shpresë tek ky njeri. Në rastin më të parë unë do të arratisem nga ky vend, për të thënë që të mos kishin besim te ai njeri dhe se duhej bërë diçka vetë”, tha shkrimtari Kadare.

Në intervistën për “Opinion”, Ramiz Alia flet edhe për largimin e Kadaresë, të cilin e quan pabesi ndaj tij.

“Kadareja ka ikur kur unë isha në Kombet e Bashkuara. Kur jam nisur, në aeroport, midis të tjerëve ka qenë edhe Kadare, kjo ka qenë hera e fundit që e pashë. Kur u ktheva në Shqipëri mora vesh që Kadare ka ikur. Më erdhi shumë keq dhe e konsiderova një pabesi ndaj meje, sepse Kadare me mua fliste hapur. Për mua Kadare mbetet një shkrimtar i shquar, por një politikan i keq”, tha Alia.

Por debati i tij me intelektualët e Tiranës vijoi me disa tematika të nxehta dhe kulmoi me problemin e pluralizmit politik. Ramiz Alia tha se organizoi takimin e 12 Gushtit me intelektualët, pasi gjendja e brendshme në vend kërkonte zhvillim të politikës.

“Gjendja e brendshme në vend kërkonte zhvillim të politikës. Unë isha që të zhvillohej pluralizmi i mendimit dhe njëkohësisht disa reforma që do të lehtësonin ecjen përpara të vendit tonë. Unë gjykova që ne kishim nevojë për përkrahjen e intelektualëve dhe i mblodha. Një pjesë e madhe e pjesëmarrësve shprehën lirisht mendimet e tyre, nuk foli asnjë për pluralizmin partiak. Mendimi im ishte që s’kishte ardhur koha. Megjithatë pyetjen për këtë e shtrova unë. Filloi ndonjë ta shpjegojë teorikisht. Berisha tha që ende nuk ka ardhur koha. Ismail Kadare nuk foli fare. Dhe unë iu drejtova vetë duke e pyetur për pluralizmin. Ai më tha: Unë nuk e kuptoj mirë. Dhe unë iu ktheva duke i thënë se nëse ishte dikush që e kuptonte ishte pikërisht ai. Por ai nuk tha gjë. Mbledhja qe pozitive, pati kritia, vërejtje dhe sugjerime”, tha Presidenti.

Por siç dëshmon në disa libra të tij dhe në intervistën për “Opinion”, Kadare kishte vendosur të mos fliste në atë mbledhje.

“Unë nuk kisha frikë të flisja sepse në atë kohë nuk bëhej fjalë për të më dënuar, por unë kisha marrë pasaportën dhe ai mund të më pengonte ikjen jashtë. Në 4 orë takim atë ditë është folur vetëm 3 minuta për pluralizmin politik”, tha Kadare.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*



Emisione