Real Madridi eliminoi Mançester Sitin me penallti në stadiumin “Etihad” dhe u kualifikua për herë të 33-të në histori në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. “Galaktikët” kanë bërë më miri se çdo ekip tjetër, të ndjekur vetëm nga Bajerni që në total në këtë fazë ka shkuar 21 herë.

Rekord edhe për Karlo Ançelotin, që u kualifikua në këtë fazë për herë të 10, si asnjë trajner tjetër. Skuadra e Pep nuk humbte një ndeshje në Europë që nga maji i vitit 2022. Edhe atëherë ishin Los Blankos që i mposhtën.

Galaktikët zhbllokuan rezultatin në minutën e 12 të lojës me Rodrigon. Për brazilianin ky është goli i katërt ndaj anglezeve në të gjitha kompeticionet.

Barazimi erdhi nga De Bryjne në minutën e 76 të lojës. Belgu i ka shënuar 4 gola galaktikëve dhe ka asistuar 4 herë në Çampions. Asnjë më mirë se ai.

Nga pika e bardhë e 11 metërshit, Los Blankos triumfuan falë pritjeve të Lunin dhe rrjetës së Rudiger. Trajneri Karlo Ançeloti vlerësoi paraqitjen e ekipit.

“Përfituam nga mundësia që kishim! Ia dolëm ta nisnim sfidën fort, jo si vitin e kaluar, që mbajtëm më shumë presion. Luajtëm me ritëm, sepse ishim gati! E pastaj, u mbrojtëm, luftuam dhe sakrifikuam! Për mua ishte e vetmja mënyrë që të kualifikoheshim!”

Trajneri Pep Guardiola tha se nuk ndien keqardhje për eliminimin.

“Unë i jap meritat Real Madridit! Ishin në gjendje të përballonin dhe të ruanin rezultatin. Gjatë viteve të fundit jemi përballur me skuadra të tilla, të pathyeshme dhe gjithmonë kemi gjetur mënyrën për t’i thyer. Kjo është ajo që na mungonte. Gabuam në finalizim! Duhet ta pranojmë! Nuk ka asgjë tjetër për këtë!”

“Los blankos” i dhanë fund ëndrrës së Guardiolës për tripletën e dytë radhazi.

Tv Klan