Teksa demokratët kanë gati draftin për Reformën Zgjedhore, të vegjlit e rreshtuar në kampin opozitar kërkojnë përfshirjen e propozimeve të tyre në dokumentin që do të diskutohet me mazhorancën në tryezën e dialogut.

“Të ketë 3 deri në 4 zona zgjedhore ose qoftë në një zonë zgjedhore akoma më mirë”, tha Agron Duka.

“Kthimi i koalicioneve klasike parazgjedhore do të jetë kërkesë e panegociueshme”, tha Nard Ndoka.

Kjo kërkesë e disa prej të vegjëlve është reflektuar nga ana e demokratëve, por ka nga ata aleatë që mendojnë se duhet shkuar përtej këtij ndryshimi.

“Të jenë lista të hapura, kjo është taksative”, tha Duka.

“Ne përballemi me një mazhorancë që ka në koalicion grupet kriminale”, tha Ndoka.  

Agron Duka sqaron arsyet se përse koalicionet parazgjedhore me lista të hapura bien.

“Listat e hapura ne 12 qarqe nuk shkojnë sepse koalicionet në mënyrë të natyrshme prishen”, tha Duka.

Ndërsa demokristiani Nard Ndoka insiston tek ndryshimi i sistemit.

“Të jetë sistem proporcional kombëtar me lista te hapura, mund të jetë një variant tjetër me 6 zona zgjedhore duke ulur numrin e deputetëve nga 140 në 120”, tha ai.

Pranimi i kërkesave do të shtonte oreksin për të dalë me kandidatë më vete në zgjedhje.

“Unë të paktën do futem vetëm me konkurrentët e mi”, tha Agron Duka.

“Brenda koalicionit të kandidojë me kandidatët e tij”, tha Ndoka.

E kundërta, do i detyronte të hynin sërish në listën e Partisë Demokratike.

“E kemi bërë edhe në kushte më të vështira dhe kjo është e padiskutueshme”, tha Ndoka.

“Partitë e vogla do tentojnë të negociojnë me grupet e mëdha dhe të futen brenda listave fituese”, tha Duka.

Qëndrimet e të vegjëlve të rreshtuar në kampin opozitar vijnë pas propozimeve të demokratëve, të cilët kanë në themel të paketës për reformën zgjedhore rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe marrëveshjen e 5 qershorit të vitit 2020.

Tv Klan