Në prag të përballjes me Anglinë, në konferencën para mediave paraditen e kësaj të shtune folën trajneri i Kombëtares, Edi Reja dhe kapiteni i Shqipërisë, Etrit Berisha.

Reja u shpreh se kjo do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi i cilësoi anglezët si një nga rivalët më të fortë në Europë, por sipas tij kuqezinjtë do të përpiqen të mbajnë në tension Anglinë, për të shpresuar më pas në një rezultat pozitiv.

Gjithashtu tekniku Italian tha se do të gjendet një zgjidhje edhe për mungesën e Kumbullës.

“Anglia është një nga rivalët më të fortë në Europë. Ka lojtarë të rinj shumë të mirë. Kejn është lojtar i së tashmes dhe sigurisht që është rreziku më i madh tani. Sigurisht që motivimi për këtë ndeshje është mjaft i madh por nuk është çeshtje motivimi, është çështje emocioni, duhet të jemi të kujdesshëm në aspektin psikologjik. Duhet të përgatitemi mirë, për të mos i’u lënë shumë hapësira. Duhet t’i frikësojmë disi, duke i sulmuar. Shpresojmë që të bëjmë më të mirën në këtë ndeshje. Për mua të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Broja mund ta fillojë edhe titullar. Ai e njeh mirë Anglinë dhe mund të na japë një dorë shumë të rëndësishme për nesër. Mungesa e Kumbullës, mendoj që nuk do të ndikojë pasi kemi lojtarë të mirë për në mbrojtje. Përveç Kumbullës, kemi Gjimshitin, Ismajlin dhe Veselin. Mendoj se në qendër do të luajë Gjimshiti, për mënyrën se si luan”, tha Reja.

Ndërsa kapiteni i Kombëtares, Etrit Berisha, u shpreh se skuadra do të përpiqet për një rezultat pozitiv dhe në rast se do të ndodhë, rruga për të ardhmen do të ishte shumë më e lehtë.

Ndeshja Shqipëri-Angli, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit Katar 2022, do të luhet të dielën në orën 18:00 në stadiumin Air Albania.

Klan News