Numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë në muajin Prill ka kapur shfirën e 794 mijë vizitorëve, duke pësuar një rritje me 29% në krahasim më të njejtën periudhë të një vitit më parë që ishin mbi 600 mijë turistë.

Shifrat e bëra publike nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, tregojnë se më shumë se 2.3 milionë janë flukset turistike hyrëse në 4 muajt e parë në vendin tonë. Përgjatë periudhës Janar- Prill numri i turistëve është rritur me 38% në krahasim me periudhën katër mujore të vitit 2023.

Ministria e Turizmit në bashkëpunim me institucionet publike dhe sektorin privat po punojnë intensivisht për një sezon turistik veror me prioritet: sigurinë, pastërtinë dhe rritjen e standardeve në shërbime.

Në Konferencën e Sigurisë në Turizëm mbajtur në fund të muajit prill, u renditën edhe prioritetet e këtij sezoni që nga pastërtia në zonat turistike, kontrollet e mjeteve detare nga flota e Policisë Kufitare, hapja e 34 qendrave shëndetësore verore, siguria ushqimore etj.

Sipas të dhënave nga turoperatorët privatë, përgjatë vitit 2024 priten rreth 30% më shumë vizitorë të huaj se viti 2023 që u mbyll me 10,1 milionë turistë të huaj.

Klan News