LDK dhe Vetëvendosje akuzojnë njëra-tjetrën për vonesat

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, akuzoi Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi për ndërhyrje në negociatat për formimin e koalicionit qeverisës. Edhe pse refuzoi dy herë ftesën e Presidentit, Kurti siguroi se do ta pranojë mandatin për formimin e qeverisë.

“Mua datën për formimin e qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës, jo Presidenti i Republikës. Natyrisht që do të ndodhë takimi konsultativ, mirëpo ta vonosh maksimalisht 30 ditë konstituimin e Kuvendit dhe madje të dërgosh dy ftesa në ditë është të kalosh nga një ekstrem në një tjetër, secila më gabim se tjetra. Unë do ta marr mandatin”.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, kreu i Vetëvendosjes shprehu angazhimin për të vazhduar në Janar negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës, edhe pse renditi arsyet pse këto negociata janë vështirësuar, duke vonuar formimin e qeverisë së re.

“Ajo që dukej e arritshme, doli të jetë e mundimshme. Nuk mjaftuan 80 ditë për marrëveshjen, pasi këmbëngulej në kërkesa përtej rezultatit nga vota e qytetarëve. Kemi dhënë gjysmën e programit dhe gjysmën e qeverisë për partnerin dhe po ashtu edhe njërin nga dy postet më të rëndësishme, kryetarin e parlamentit. Kjo u refuzua.”

Përmes Facebook-ut, kreu i LDK-së Isa Mustafa sqaroi Kurtin se nuk ishte ai që caktonte datat për formimin e qeverisë dhe se i takonte partisë së tij posti i kryeparlamentarit.

“LDK nuk cakton data. Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e qeverisë. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit. Për hir të së vërtetës, LDK, jo që ka refuzuar por, ka vlerësuar se duhet t’i takojë kryeparlamentari me marrëveshje.

Mustafa i bëri thirrje Kurtit të heqë dorë nga pretendimet se është treguar zemërgjerë me postet që i ka ofruar LDK-së, pasi Vetëvendosja nuk është fituese absolute dhe mes dy partive është vetëm 1 deputet më shumë.

Tv Klan