Na ka ndodhur shpesh të gjendemi në një restorant dhe për një moment të gjithë janë të përqendruar në telefon. Kjo gjë sjell më pak biseda në tavolina…

Një restorant në Verona të Italisë duket se ka gjetur zgjidhjen perfekte. Në një artikull të The Guardian, pronari i “Al Condominio”, Angelo Lella, thotë se të gjithë ata që dorëzojnë celularët në hyrje të restorantit, marrin një shishe verë falas.

“Ne donim të hapnim një restorant ndryshe. Klientët mund të heqin dorë nga teknologjia për të shijuar momentet sëbashku. Teknologjia po kthehet në problem të madh, është bërë si drogë. Vetëm kështu shijohet ushqimi, biseda dhe vera e mirë”, tha ai.

Pra kushti i vetëm është lënia e celularit tek dollapi në hyrje. Por përveç kësaj, çdo klienti i sugjerohet të lërë një përshtypje për ushqimin duke e shkruar. Përshkrimi më i bukur, fiton një vakt falas në vizitën e radhës.

Lella thotë se njerëzit e kanë pritur mirë këtë gjë.

90 % e klientëve zgjedhin të lënë celularët e tyre për verë. Është bukur të shohësh njerëzit duke e përqafuar idenë, duke folur me njëri-tjetrin, në vend që të shohin foto apo t’u përgjigjen mesazheve”, shtoi ai.

Ky është restoranti i parë në veri të Italisë që e miraton këtë iniciativë. Megjithatë shembuj të tjerë të ngjashëm hasen shpesh në Itali. Përshembull, “Separe 1968” në Toskana, u jep klientëve kupona dhuratë nëse ata heqin dorë nga pajisjet teknologjike për aq kohë sa janë aty./tvklan.al