Qeveria diskuton uljen nga 10, në 7 ditë

Javën e ardhshme do të dihet nëse izolimi i personave që rezultojnë pozitiv me Covid-19 do të ulet nga 10 në 7 ditë. Vendimi duhet të miratohet nga Qeveria me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë në bazë të rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive dhe Shtabit Kryesor të Krizës.

Ndërkohë, gjatë javës që po e lëmë pas, u shënuan shifra të frikshme të infektimeve të reja me Covid-19, riinfektimeve dhe rasteve që përfundojnë me fatalitet.

Nga e Hëna deri të Premten, sipas njoftimeve zyrtare të MSH-së, janë regjistruar 8.329 raste të reja me Covid-19. Gjatë kësaj periudhe janë shënuar edhe 1.092 riinfektime, kurse 78 qytetarë kanë humbur betejën me koronavirusin, prej tyre 24 sipas Regjistrit për persona të vdekur me diagnozë të Covid-19 nga sistemi “Termini Im”, duke e çuar në 8.177 numrin total të viktimave, që nga fillimi i epidemisë.

Edhe pse varianti “Omicron” po përhapet shumë shpejtë, autoritetet e shëndetësisë thonë se spitalet e vendit ende kanë kapacitete të lira. Sipas tyre, për momentin janë mbushur 60% kapaciteteve të spitaleve.

Sipas të dhënave të MSH-së, nëpër qendrat e covid-it të spitaleve të vendit trajtohen 512 pacientë. Prej tyre 177 janë në Shkup kurse 335 në repartet infektive të qyteteve tjera.

Për momentin në Maqedoninë e Veriut janë 19.714 raste aktive me Covid-19, prej tyre mbi 10 mijë vetëm në Shkup. 

Klan Macedonia