Rrëfimi ekskluziv i mamasë së Mishel Prelës: Shkëlzen Buci, killer gjakftohtë


Rrëfimi ekskluziv i mamasë së Mishel Prelës: Shkëlzen Buci, killer gjakftohtë

19:00 06/09/2020

Të qetë, madje edhe buzagaz, dy të dyshuarit si vrasësit gjakftohtë, Faik e Shkëlzen Buci, dolën sot para gjykatës së Tiranës. Atyre iu u komunikua masa e sigurisë arrest me burg, për vrasjen e vajzës së tyre, Eglantina Buci, në vitin 2012.

Autori i krimit, thotë prokuroria, është Shkëlzen Buci, vëllai i viktimës, atë kohë 23 vjeç, ndërsa babai i saj, Faik Buci, ka ndihmuar të birin për fshehjen e trupit, drejt Malit me Gropa, një zonë malore disa kilometra larg kryeqytetit.

Shkak i kësaj vrasjeje, sipas hetimeve, është bërë bashkëjetesa pa lejen e familjes e Eglantinës me një djalë të panjohur për ta.

8 vite më parë, familja Buci nuk bëri fillimisht asnjë kallëzim për zhdukjen e vajzës. Por 1 vit pas ngjarjes, në vitin 2013, gjuetarët gjejnë një skelet në mal dhe lajmërojnë policinë. Pas analizave rezultoi se skeleti i përkiste Eglantina Bucit.

Gjatë marrjes në pyetje, babë e bir kanë mohuar mundësinë e vrasjes brenda familjes. Madje Faik Buci atëkohë ka thënë se e bija është trafikuar në Turqi nga një grup shumë i rrezikshëm, që është mirë mos të merren me ta.

Nga ana e policisë së Tiranës është kërkuar bashkëpunim për gjetjen e këtij grupi siç supozonte Buci, bashkëpunim i cili nuk u bë kurrë.

Madje, në një rrëfim kofidencial për Klan Plus, hetuesit e kësaj ngjarjeje në vitin 2013, thonë se kishin shumë pak informacion për rrethanat e ngjarjes, ndaj dosja nuk u mbyll kurrë. Të tjera burime konfirmojnë mohimin e autorësisë nga ana e Faik Bucit.

Një ditë më parë ai është pyetur për të paktën 4 orë me radhë në ambientet e Policisë së Tiranës, por ka mohuar kategorikisht që ai dhe i biri të kenë lidhje me këtë krim. Ata vijojnë t’i qëndrojnë versionit se Eglantina Buci është trafikuar dhe mund të jetë vrarë nga persona të tjerë.

Në Korrik të vitit 2017, një informacion mjaft i rëndësishëm mbërrin në polici. Gjithçka mori shkas nga një tjetër vepër penale që kreu Shkëlzen Buci. Ai i bëri atentat Mishel Prelës. Pas arrestimit, një mesazh anonim thotë: “Shikoni se ky ka vrarë edhe motrën”.

Mjaftoi kjo indicie që hetuesit të hapnin dosjen e të përfundonin me zbardhjen e plotë të saj. Madje, Buci është konsideruar si një vrasës gjakftohtë.

Ja çfarë thoshte mamaja e Mishel Prelës, në një rrëfim ekskluziv për Klan Plus, të dhënë një vit më parë.

“Miklar Tola dhe Shkëlzen Buci pranojnë që kanë bërë krimin për shumën rreth 80 mijë dollarë, që ua ka dhënë Evrin Zalluni. Ervini u ka blerë dhe armën, por më e rënda është kënaqësia dhe interpretimi i vrarësit, që thotë se ‘e plagosa në këmbë, e lash sakat në dorë’. Unë jetoj me frikë, mendoj se kur të dalin nga burgu do më vrasin dhe mua”, shprehej në atë kohë nëna e Mishel Prelës.

Sulmi ndaj Prelës besohet se është bërë për arsye financiare duke shtuar dyshimet e policisë se Shkëlzen Buci është një vrasës me pagesë.

Gazetare: Aida Topalli

Klan Plus





Të ngjashme