Kryesia e Partisë Demokratike miratoi këtë të enjte udhëzimin e përzgjedhjes së kandidatëve sipas parimit “një anëtar, një votë”, proces që duhet të përmbyllet brenda muajit Shtator. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Gazment Bardhi, i ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në emisionin “Opinion”, shpjegoi sesi do të funksionojë kjo formulë e re.

Sot kryesia ka miratuar rregullat e reja të mënyrës së zgjedhjes së kandidatëve, qoftë për deputetë, qoftë për kryetarë bashkie, që përfshin 4 faza që i japin një rol të ri anëtarësisë së partisë në përzgjedhjen e kandidatëve. Deri më sot ne kemi marrë vetëm propozime nga anëtarësia, por nuk i kemi përfshirë ato në procesin final vendimmarrës për të përzgjedhur kandidatët që do të përbëjnë pjesën zyrtare të listës së partisë. Faza e parë do të marrim propozime nga anëtarët e partisë, pra një anëtar do të ketë të drejtën të propozojë një kandidat, më pas lista totale i kalon Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve.  

Propozimi do të bëhet në mbledhjen zyrtare të partisë, në nivel grup seksioni. Lista i vjen Komisionit, i cili do të ngrihet brenda datës 25 Korrik. Komisioni do të ketë përgjegjësinë për të bërë verifikim të secilit kandidat dhe do të hartojë një listë e cila konsiderohet si lista e kandidatëve të mundshëm. Kjo listë i rikthehet për votim anëtarësisë së partisë, me parimin një anëtar një votë dhe çdo anëtar partie do të ketë të drejtë të kontestojë 1, 2 apo 3, 4 kandidatë, në varësi të numri të kandidatëve, pra 20 përqind të listës që do t’i kthehet për votim anëtarëve të partisë. Më pas lista e konfirmuar nga anëtarësia do të përbëjë listën mbi bazës e së cilës kryesia e partisë do të përcaktojë listën përfundimtare”.

Bardhi tha më tej se kandidatët do të përzgjidhen në bazë të kritereve objektive të parashikuara në udhëzim. Ata parashikohet që të plotësojnë një formular prej rreth 30-40 faqesh, ku secili prej kandidatëve do të përshkruajë arsimin e tij, ligjshmërinë e pasurisë së tij etj. /tvklan.al