Aktorja e dashur turke, Hazar Erguçlu, ka shprehur keqardhjen e saj për postimin e një dokumentari të organizatës terroriste PKK në faqen e saj në Twitter, ç’ka mund t’i  kishte kushtuar shtrenjtë.

Prokuroria mori vendimin e pushimit të çështjes kundër aktores së bukur pasi dëgjoi argumentimin e saj. Sipas “Hurriyet”, Erguçlu tha se para dy vitesh kishte shpërndarë në faqen e saj një dokumentar që i kishte shkuar nga një ndjekës me qëllim që të mbështeste të rinjtë dhe të talentuarit. Ajo pranoi se ishte “gabim” shpërndarja e dokumentarit pa e ditur mirë se për çfarë bëhet fjalë, por këmbënguli se sapo kishte mësuar brendësinë e kishte fshirë.

“Dua të dini se më vjen shumë keq që mbështetja që desha të jap me qëllim të mirë arriti në një përfundim të tillë”, tha aktroja duke shtuar se “kurrë nuk kam qenë dhe nuk do të jem brenda diçkaje pa dashuri dhe dhembshuri.”

Ajo tha se absolutisht nuk mbështeste çfarëdolloj organizate apo personi që dëmton njerëzit dhe se kjo ishte konfimuar edhe nga prokuroria.

Shpërndarja e çdo materiali propagandues të Organizatës së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, vlerësohet si krim në Turqi, ku prej dekadash ushtria turke po përballet me rebelët kurdë.

Aktorja 25 vjeçare ka luajtur në një sërë filmash dhe serialesh, përfshirë edhe rolin e Simay Canaş në serialin “Kuzey Guney”, transmetuar në Televizionin Klan. /tvklan.al