Mund të shkaktojë vonesa në shpërndarjen e vaksinave tek qytetarët

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden ka paralajmëruar se njerëzit mund të vdesin nëse administrata e tij e ardhshme vazhdon të pengohet nga Donald Trump. Biden është shprehur se ka ardhur koha që të bëhet një koordinim i përbashkët në lidhje me pandeminë, e cila tanimë po përkeqësohet gjithnjë e më shumë.

Duke e quajtur shpërndarjen e vaksinave në të gjithë vendin një ndërmarrje të madhe, Biden nga Delaware u shpreh se 20 Janari, kur ai të marrë presidencën do të jetë shumë vonë për t’i vaksinuar njerëzit pasi rritjet e infektimeve mund të thyejnë rekorde.

Ndihmësit e presidentit të zgjedhur kanë deklaruar se refuzimi që Trump po bën për të lënë pushtetin po e pengon Biden që të ndërmarrë strategji për të shpërndarë vaksinën anti-Covid 19 në popullatë.

John Bolton, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Trump, u bëri thirrje udhëheqësve republikanë të nxisin Shtëpinë e Bardhë të ndajë me administratën e  Biden informacione lidhur me virusin dhe sigurinë kombëtare.

Sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins në SHBA janë regjistruar mbi 11 milionë raste me koronavirus dhe rreth 246 mijë vdekje prej fillimit të pandemisë. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë në botë të banorëve të prekur me COVID-19.

Joe Biden e quajti refuzimin e presidentit Trump për të pranuar humbjen krejtësisht të papërgjegjshme. Kreu i Shtëpisë së Bardhë vijon betejën e tij ligjore në lidhje me votat, të cilat sipas tij, janë vjedhur nga rivali demokrat.

Ekipi i presidentit po përpiqet që gjykatat të përmbysin votat në shtetet kryesore me arsyetimin se shumë fletëvotime ishin të pavlefshme ose të numëruara në mënyrë jo të duhur. Deri më tani këto përpjekje kanë dështuar dhe nuk ka prova të mashtrimit.

Presidenti i zgjedhur Biden ka 306 vota në Kolegjin Zgjedhor, duke kapërcyer pragun prej 270 për të fituar. Agjencia qeveritare ende nuk e ka njohur Biden dhe nënpresidenten Kamala Harris si fitues të këtyre zgjedhjeve.

Klan Plus