Vrasja e Gjeneralit iranian Qasem Soleimani gjatë një sulmi amerikan, ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës. Analistët paralajmëruan se sulmi i SHBA do të përshkallëzojë tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit, si dhe do të ndikojë në të gjithë botën për prodhimin e naftës.

Çmimi i një fuçie nafte e papërpunuar u rrit me 4%, duke shënuar vlerën 69.50 Dollarë, më e larta që nga mesi i muajit Shtator. Disa nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë ushtrojnë aktivitetin në Lindjen e Mesme dhe mund të preken nëse nis një konfrontim ushtarak që prek Iranin. Kjo do të sjellë rritjen e çmimit të naftës, paralajmërojnë ekspertët.

Gjenerali i lartë i Iranit, Qasem Soleimani u vra në aeroportin e Bagdadit gjatë një sulmi ajror me dron të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pentagoni njoftoi zyrtarisht se ky operacion u krye nën drejtimin e Presidentit Donald Trump, ndërsa sulmin e konsideroi një “masë mbrojtëse” për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste Gjenerali Soleimani. Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të Teheranit.

Tensionet midis SHBA-së dhe Iranit ishin në rritje që kur Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore dhe më pas vendosi sanksione ndaj regjimit të Rouhanit. /tvklan.al