Festivali i fundvitit është në provat e fundit gjenerale. Këngëtarët e natës së parë po zhvillojnë provat e fundit një natë para nisjes së festivalit, evenimentit muzikor më të madh në vend. Këngëtarët e natës së parë gjatë gjithë paradites së sotme kanë bërë prova dhe kanë dhënë intervista rreth këngëve që do këndojnë dhe mesazhit që përcjellin.

Interesit të festivalit i janë shtuar edhe gazetarët. Botuesit e gazetave të mbledhur në Hotel Rogner kanë kritikuar ashpër kreun e RTSH-së Adrian Klosin, pasi janë ndjerë të fyer që dyshemja e skenës do të jetë e shtruar me gazeta, si pjesë e dekorit. Sipas botuesve të gazetave ky është një poshtërim që i bëhet medias së shkruar. Kurse sipas skenografit Bashkim Zahaj këtu nuk ka asnjë fyerje, përkundrazi i është bërë një nder gazetave.

Ylli Rakipi u shpreh se në dyshemenë e festivalit janë prapësitë e drejtorit Klosi, një nga figurat më të diskutuara dhe perverse. Sipas tij ky është një akt i shëmtuar kundër shtypit.


Arjan Çani tha se ishte cuditur kur e kishte dëgjuar kete dhe mendon se është një ide perverse, për të treguar se këtu shtypi i shkruar nuk vlen. Ndërsa Bashkim Zahaj shprehet se ai i ka bërë një nder të madh gazetave që i ka vendosur në dysheme pasi njerëzit ato i përdorin edhe për qëllime të tjera./tvklan.al

Gazetar : Aldon Lipe