Viti im më i suksesshëm në karrierë/ Histori dhe rrëfime personale

“Ishte protestë shumë e ndezur”, Altin Hazizaj: Përfundova 43 orë në paraburgim si gazetar

Këtë të shtunë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë i ftuar Altin Hazizaj, drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), i cili ka rrëfyer një moment delikat të jetës së tij, kur është arrestuar si gazetar. Ai tha se ngjarja ka ndodhur në ’96-n dhe se ka qëndruar 48 orë në paraburgim.

Altin Hazizaj: Kam një foto që nuk po e gjeja, që është momenti kur kam qenë përpara gjykatës, kur kam qenë i arrestuar si gazetar.

Rudina Magjistari: Ke qenë i arrestuar ti si gazetar?

Altin Hazizaj: Po, 43 orë në paraburgim, si gazetar.

Rudina Magjistari: Në ç’vit?

Altin Hazizaj: Në ’96-n. Në atë kohë sapo kisha filluar dhe një bursë, duhet të largohesha nga Shqipëria.

Rudina Magjistari: Po pse?

Altin Hazizaj: Bëheshe një protestë, shumë afër këtu ku jemi në fakt, “Koha Jonë” (gazeta) në atë kohë ka qenë… do thosha majë më majë, në sensin…

Rudina Magjistari: Një zë opozite le të themi.

Altin Hazizaj: Ishte e vetmja opozitë. Partia Socialiste në atë kohë nuk bënte opozitë, saç bënte “Koha Jonë”. Domethënë ishte një zë i pavarur, pa diskutim me të mirat dhe me të këqijat e veta, se sot kemi aftësi ta gjykojmë, por që pa diskutim ishte një opozitë e hapur.

Kam qenë së bashku me Gent Shkullakun, fotograf. Vajtëm të dy, unë po bëja intervistat, Genti bënte fotot. Ishte protestë shumë e ndezur, sepse njerëzit… ideja ishte që ishte pushtuar një pallat nga ish të burgosurit politik. Policia vajti t’i nxirrte të gjithë nga hyrjet, se ata kishin pushtuar hyrjet dhe ndërkohë ata kishin marrë tulla, pra kishin mjete rrethanore dhe kishin plagosur policët. Ne vajtëm të bënim intervistat, do bënim foto.  

Rudina Magjistari: Si përfundove në…?

Altin Hazizaj: Si përfundova ishte e tillë, duke qenë që ishte majë më majë me qeverinë, mjafton të thoshe: “Koha Jonë” dhe… si tani nuk e harroj, kemi qenë në kat të 6 të ndërtesës, ishte një punonjës policie dhe që thotë: “A ti je nga Koha Jonë?” “Po”, i thashë unë, “unë jam nga Koha Jonë”.

I thotë 2 bodyguard-ëve: “Këtë në komisariat”. I thashë: “S’kam bërë asgjë për të shkuar në komisariat”, tha: “S’ka problem se e sqarojmë më vonë”.

Tragjedia e 9 Janarit, gazetarja: Isha një vajzë e vogël, më duhet të raportoja duke riskuar edhe veten

Këtë të shtunë emisioni “Rudina” në Tv Klan na njohu me histori personale të disa personazheve publike për suksesin e tyre në karrierë. E ftuar ishte edhe gazetarja Anduena Llabani, e cila tha se suksesin e saj e lidh me zanafillën në profesion. Tashmë ajo mbush 26 vite si gazetare. Llabani kujtoi në studio tragjedinë e 9 Janarit dhe sfidat që pati për të raportuar atë ngjarje.

“Kam qenë fare e vogël, pata mësues shumë të mirë që më mësuan si të shkruaj dhe trajtoj një ngjarje. Do ta quaja veten me sukses në fushën e medias në tragjedinë e 9 Janarit. Më vjen keq ta them, por ishte një ngjarje që thumboi shumë shqiptarë në ekran për të parë se çfarë ka ndodhur. Nuk ishte e thjeshtë për një vajzë të vogël, unë isha gati 23 vjeç dhe më duhej që të raportoja për të gjithë situatën aty, madje më duhej të shikoja më shumë seç mbante organizmi, mendja, zemra e një vajze kaq të vogël, e cila kishte një mision në fund të fundit.

Ishin tre net pa gjumë, tre net në një mot shumë të keq, tre net duke sakrifikuar, edhe duke ndenjur pa bukë, pa ngrënë e pa pushuar, por mbi të gjitha duke riskuar edhe veten. Në atë kohë të mos harrojmë ishte një sfidë edhe me shtetin, jo vetëm me informacionin përkundrejt televizioneve të tjera që vrapuan në Vlorë për të raportuar çfarë ka ndodhur me 9 Janarin”, tha ajo.

Në tragjedinë e 9 Janarit, 28 shqiptarë u mbytën në ujërat e detit Jon. Ata banorë, kryesisht nga Shkodra ishin të moshës 15 deri në 33 vjeç.

Nga çekiçi i gjykatësit tek mikrofoni i parë/ Objektet e të ftuarve dhe historitë pas

“Isha gati ta godisja me mikrofon”, gazetarja: Polici tentoi të hidhte operatorin në ujë

E ftuar këtë të shtunë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë gazetarja e kronikës së zezë Anduena Llabani, e cila tregoi për një nga episodet e saj gjatë raportimit të tragjedisë së 9 janarit, në vitin 2004, ku 28 shqiptarë u mbytën në ujërat e detit Jon. Asaj iu desh të përballej me një rast, ku një polic tentoi të hidhte operatorin bashkë me kamerën në ujë.

Anduena Llabani: Më kujtohet që në vitin 2004, kur unë mbuloja tragjedinë e 9 janarit, mua mu desh që të futem në kala me gjithë operatorin. Hyra fshehurazi. U futa në një ambulancë e cila do merrte trupat e mbijetuar nga skafet, që vinin në kalatën e portit të Vlorës. Ndërkohë që i thosha operatorit xhiro momentet kur do vinin dhe do dilnin të mbijetuarit që ishin vetëm të veshur me një mushama të kuqe, për shkak se i kishin ngjitur rrobat në trup edhe, pjesa më madhe ishin të zhveshur, po flas për 9 janarin, ishte dhe ftohtë. Njëri nga policët, i cili ishte aty për të ruajtur mbarëvajtjen e këtij procesi, shkoi tek operatori dhe gati e hodhi nga kalata, për ta hedhur në ujë bashkë me kamerën. Atë moment unë pata një kapërcim të gjendjes time normale, të një raportimi normal, dhe bashkë me mikrofonin shkova dhe e kapa policin dhe isha gati ta godisja me mikrofon që ai të lëshonte operatorin dhe kamerën. Një gjest, i cili, unë e mësova pas 4 ditësh, ishte vlerësuar nga ata që mua më drejtonin, për të mbrojtur atë që ti bëje. Riskova dhe jetën, domethënë krijova një situatë të tillë vetëm e vetëm që ti të mbroje atë gjënë që për ty është fjala, goja, shpirti dhe gjithçka. 

/tvklan.al

Viti më i suksesshëm në punë/ Zbuloni recetën e veçantë dhe pyetjet pikante