Vetëm një pije alkoolike në dite rrit rrezikun e individit për probleme shëndetësore. Një studim 26-vjeçar i shtrirë në 195 vende të ndryshme, ka dalë në përfundimin se konsumi i alkoolit nuk sjell asnjë përfitim në shëndetin e njeriut, duke hedhur poshtë kërkimet e bëra më herët për ndikimet e tij pozitive në sëmundje si diabeti, goditjet e zemrës, etj.

Sipas studimit të botuar në “Lancet”, në vitin 2016, 25 % e grave dhe 39 % e burrave kanë konsumuar alkool – pra një total prej 2.4 miliardë njerëzish në të gjithë botën.

Gratë kanë konsumuar mesatarisht 0.73 pijë në ditë, ndërsa burrat 1.7 pije. Si pasojë e konsumit të alkoolit humbin jetën 2.8 milionë persona çdo vit në mbarë botën, duke e bërë atë faktorin e shtatë kryesor të rrezikut për vdekjen dhe paaftësinë. Ky është edhe shkaku me i zakonshëm i vdekjeve për grupmoshën 15 – 49 vjeç.

Sipas studimit në vitin 2016, alkooli përbënte 6,8 % të vdekjeve tek meshkujt dhe 2,2 % të femrave.

Normat e konsumit të alkoolit ndryshojnë shumë nga vendi në vend, por në përgjithësi sa me i lartë të jetë niveli i të ardhurave të një vendi, aq më e lartë është prevalenca e pijes – thuhet në studim.

Tv Klan