Vendimi i një dite më parë i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike për të mos publikuar listat e anëtarësisë, me argumentin se janë të dhëna personale, ka sjellë reagimin e ashpër të Eduard Selamit.

Që prej nisjes së fushatës Selami e ka akuzuar kryetarin e vetëngrirë Lulzim Basha për pabarazi në garë. Përpara demokratëve të Elbasanit, Librazhdit, Belshit, Përrenjasit e Gramshit ai i kërkoi rivalit të tij në garë të bëjë transparente listat e anëtarësisë demokrate, duke hedhur dyshime se mospublikimi i tyre ka për qëllim manipulimin e zgjedhjeve të 22 korrikut.

“Hajde ta bëjmë sa më të mirë garën, që listat tona duhet të jenë transparente. Listat e votuesve të PD duhet të bëhen publike. Nuk janë bërë. Ne duhet t’i lëmë qytetarët, votuesit tanë dhe ata që s’ja​në anëtarë partie ta shikojnë se çfarë po ndodh këtu. Nuk jemi ne parti ilegale”, tha Selami.

Por kjo nuk ishte e vetmja akuzë që Selami adresoi ndaj kryetarit të vetëngrirë. Bazës demokrate i rrëfeu  arsyen për të cilën Lulzim Basha garon pas disfatës në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Në mënyrë fare të natyrshme ngrihet një pyetje: Kush është qëllimi dhe interesi kryesor i z.Basha? Rimëkëmbja e Partisë Demokratike apo mbajtja dhe ruajtja e postit të kryetarit? Kam frikë se është një pyetje që në mënyrë të sinqertë  z.Basha nuk i pergjigjet dot”, theksoi kandidati për kreun e PD.

Për të treguar se në këtë garë nuk ka as barazi e as transparence, si shembull solli sërish mungesën e debateve të hapura për median e publikun nga ana e rivalit të tij, duke përsëritur se Basha ia kishte premtuar këtë kur nisi gara. TV KLAN