Rishikimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë rrezikon të shkaktojë efekt domino edhe në Bosnje. Drejtuesi i krahinës serbe të Bosnjes, Milorad Dodik në një intervistë për të përditshmen “Blic” shprehu mbështetjen për bashkimin e krahinave serbe të Kosovës me Serbinë si një zgjidhje që përmbush synimet afatgjata të Serbisë.

“Serbët duhet të kenë planin e tyre që do të përfshinte synimet afatshkurtra dhe afatgjata të popullit tonë. Kjo do të niste nga riintegrimi i katër komunave në veri të Kosovës”.

Dodik thotë se veç shkëputjes së komunave serbe, pjesëtarët e këtij komuniteti që do të mbeten në Kosovë si dhe Kisha Ortodokse serbe duhet të gëzojnë një status të konsoliduar në marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Dodik është në një linjë me ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç, kur thotë se politika amerikane tashmë ka ndryshuar. E kështu, lideri i të ashtuquajturës Republikë Serbe e Bosnjes shkon edhe më tej me planet e tij.

“Nëse Kosova arrin të bëhet anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të njejtën gjë do të synojë të bëjë edhe Republika Serbe e Bosnjes, që synon të jetë shtet i pavarur”.

Rrezikun për një efekt domino nga shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë e paralajmëroi edhe ish-drejtuesi i zyrës së BE-së për Kosovën, Volfgang Petriç, i cili kërkoi që dy shtetet të ruajnë karakterin e tyre multi-etnik.

Tv Klan