Serbia mund të jetë në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Mediat serbe shkruajnë se Presidenti Aleksandër Vuçiç po bën gati vendimin për t’a çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare pas protestave të opozitës të shtunën, ku u kërkua dorëheqja e tij.

Lajmi qarkullon në disa të përditshme, si ‘Blic’ e ‘Republica’, të cilat citojnë burime të besuara brenda partisë SNS të drejtuar nga Vuçiç, që thonë se vendimi mund të merret gjatë ditëve në vijim. Vetë Vuçiç përmendi zgjedhjet në një deklaratë për mediat gjatë fundjavës.

“Edhe pesë milionë mund t’ju dalin në protesta. Keni mundësi vetëm të fitoni zgjedhjet dhe pastaj të përmbushni atë do t’i premtoni popullit. Nuk do të toleroj presion dhe shantazh nga rruga, dhe sidomos jo në një  gjendje të tillë në të cilën është populli serb në Kosovë”.

Mbrëmjen e të shtunës, mijëra mbështetës të opozitës protestuan në qendër të Beogradit pas dhunës fizike të ushtruar nga persona të paidentifikuar ndaj Borko Stefanoviçit, ish-pjesëtarit të grupit negociator për Kosovën, aktualisht kryetar i Partisë së Majtë në opozitë. Protestuesit akuzuan Vuçiçin për autoritarizëm dhe për shtypjen e zërave disidentë brenda dhe jashtë Parlamentit.

Tv Klan