Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka njoftuar se do të bëhen ndërhyrje në shkollën e mesme “Janaq Kilica” në Fier.

Përmes një postimi në profilin zyrtar të Facebook, Besa shkruan  se është dakordësuar me Kryetarin e Bashkisë Fier, për të ndërhyrë edhe në godinën e vjetër të shkollës së mesme “Janaq Kilica”.

Ndërkaq duke iu referuar tensioneve që ka pasur ditët e fundit në këtë shkollë ku disa nxënës janë helmuar dhe një tjetër është marrë këtë të Enjte me ambulancë, ministrja shkruan: Nuk do të lejojmë që ngjarje të manipuluara politikisht për të shkaktuar kaos të dëmtojnë punën e mirë që bëhet në atë shkollë prej shumë e shumë vitesh. Kemi shtuar oficerët e sigurisë dhe prezencën e psikologut në shkollë, në mënyrë që të mbështesim drejtoren e cila po bën një punë të mirë në organizimin e shkollës.

Ankesat për ndërhyrje politike në shkollë po i hulumtojmë me kujdes dhe do të marrim masa që të sigurohemi se tensionet politike të stisura nga opozita jashtë-parlamentare mos të ndikojnë punën e rëndësishme shkollore. /tvklan.al