Deputetët pro dhe kundër Pekinit përleshen në sallën e Parlamentit

Përplasjet fizike mes deputetëve në sallën e Parlamentit të Hong Kongut ishin të zakonshme para shpërthimit të pandemisë së COVID-19. Prova tashmë është kaluar me sukses edhe në kushte pandemie.

Deputetët e dy krahëve politike, ata pro dhe kundër Pekinit u përleshën në sallën e Parlamentit, por pa i hequr maskat nga goja, duke respektuar rregullat kundër infektimit.

Sherri nisi për shkak të mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e kreut të ri të Komisionit Parlamentar për Arsimin. Deputetët anti-Pekin nuk pranuan rizgjedhjen në krye të komisionit të Starri Lisë, kryetares së partisë më të madhe pro-Pekinit.

Duket se pandemia nuk i ka ulur aspak tensionet në Hong – Kong, që u thelluan në fillim të vitit të kaluar, kur administrata e përcaktuar nga Pekini u përpoq pa sukses të miratonte disa reforma që kufizonin të drejtën e autonomisë që Hong-Kongu gëzon prej 1997-ës kur Britania ia ktheu Kinës pas 99 vitesh administrimin e territorit.

Tv Klan