Konflikti fizik mes Princ Leka Zogut dhe ish-gruas së tij Elja Zaharia u bë kryefjalë e mediave shqiptare ditën e sotme, që kulmoi me bërjen publike të një video në momente tensioni mes tyre.

Video është filmuar nga vetë Princi Leka, i cili ka dashur të tregojë dhunën fizike nga ish-bashkëshortja Elja Zaharia ku kjo e fundit e godiste me shpulla e revoltuar duke i thënë përse ai i kishte goditur babain.

Por sociologia Entela Binjaku mendon se regjistrimi i një video të tillë nga Princ Leka në një moment të tillë tensioni me ish-partneren dhe bërja publike, nuk është e hijshme.

Në një intervistë në televizionin Klan News, sociologia Binjaku shprehet se kjo video tregon se sa në krizë të thellë ka qenë marrëdhënia e çiftit mbretëror.

Sociologia Entela Binjaku: Duhet ta kisha distancuar veten time nga ky gjest i regjistrimin edhe i shpërndarjes publike sepse nuk më është dukur aspak e denjë kjo gjë që të kryhet dhe të regjistrohet, e të shpërndahet kaq shumë. Arsyeja sepse ky zotëri e ka bërë këtë veprim, për mendimin tim ndoshta ka qenë jo dhe aq si një shenjë hakmarrje se sa fakti që ka dashur të dëshmojë ose ta bëjë një provë të vërtetë procesin gjyqësor ose të kishte një dëshmi. Në thelb, nuk më duket e hijshme kjo që ka bërë, edhe nëse vërtetë ka pasur nevojë të ketë një dëshmi, kjo tregon se në thelb kjo marrëdhënie kishte qenë vërtetë shumë e pabazë. Kur ka shkuar puna deri këtu sa të mos ketë besim as te fjala e njërit apo tjetrit dhe dëshmia e njërit apo tjetrit dhe ajo u është dashur që të regjistrohet për t’u pasur si provë, tregon që ndoshta midis këtyre dy individëve kriza e ndarjes kishte qenë shumë më e madhe se sa është përcjellë. Në njërën anë shikon një njeri që bërtet, ka humbur çdo lloj kontrolli mbi veten dhe për fat të keq kjo është vetë Elja, por shikon nga ana tjetër një ish-partnerin e saj, prindin e fëmijës së saj, se si në atë gjendje e ka ftohtësinë të regjistrojë. Më duket shumë e ulët, por kjo mendoj ndoshta konfliktet mes tyre duhet të kenë qenë të vazhdueshme, të forta dhe ndoshta ai e ka gjetur këtë të vetmen rrugë për të dëshmuar në të vërtetë raportin e tyre ndoshta thellësisht konfliktual.