Domeniko Krishito do të shesë simbolet e tij për të bërë donacione

Udhëzues në fushë, luftëtar dhe bujar jashtë saj. Domeniko Krishito ka treguar edhe njëherë gatishmërinë e tij në luftën kundër koronavirusit. Kapiteni i skuadrës italiane të Xhenovas ka vendosur t’i vijë në ndihmë stafit mjekësor italian, duke bërë një gjest simbolik.

Në një postim në rrjetet sociale, Krishito ka zbuluar se ka nxjerrë në ankand 3 shirita kapiteni të personalizuara, me të ardhurat që do të shkojnë për blerje maskash dhe pajisje mbrojtëse për stafin mjekësor dhe jo vetëm.

“Kam nxjerrë në ankand 3 nga shiritat e kapiteni, të dizajnuara posaçërisht për mua të sezonit 2018-2019 për të blerë maska dhe pajisje të tjera mbrojtëse për mjekët infermierët dhe personat në nevojë. Me rregulloren e vendosur nga Liga nuk kam arritur t’i vendos në krah, por ato mbesin një objekt i bukur për fansat dhe koleksionistët që duan të kontribuojnë në këtë kauzë të bukur,” shkruan Krishito në rrjetet sociale.

Mbetet të shihet se sa do të jetë shuma e grumbulluara prej këtij ankandi, por veprimi i mbrojtësit pritet të ndikojë në të tjera iniciativa bamirësie.

Klan Plus