Shkeljet për shkarkimin e drejtorit të shkollës, kontroll në mes të mësimit



Shkeljet për shkarkimin e drejtorit të shkollës, kontroll në mes të mësimit

21:02 20/11/2020

Emisioni “Stop” ka udhëtuar këtë të premte drejt qytetit të Vlorës, për një problem të qytetarit Aleksandër Duka, i cili është dhe autori i shumë prej pjesëve humoristike të parodistëve të Vlorës.

Aleksandri tregon, se prej 35 vitesh është punonjës në arsim dhe prej 7 vitesh ishte drejtor në shkollën “Ibrahim Kushta”. Ai shton se gjithë këto vite nuk kishte marrë as vërejtjen më të vogël. Por gjithçka nisi me urdhrin e ZVA Vlorë për emërimin e një mësueseje, për të cilën ZVA kërkoi, që të bëhej me kontratë pa afat, por këtë gjë nuk e bën dot drejtori.

Në këto kushte Aleksandër Duka i drejtohet Ministrisë së Arsimit dhe kjo e fundit i jep të drejtë. Drejtoresha e ZVA Vlorë, Alma Bakiu, pranon, se kjo është e drejta e drejtorit, por nuk jep shpjegim për largimin e këtij të fundit dhe kontrollin, që ka ushtruar në shkollë, duke ndërprerë edhe mësimin.

Gazetarja: Po ju drejtorit,  pse i keni kërkuar për emërimin e një mësueseje, që ta mbante me vendim? Nëpërmjet kësaj shkresës…

Drejtoresha: Deklarimin e bënte drejtori i shkollës.

Gazetarja: Ju pse ia keni kërkuar? Me këtë shkresë, që nuk mbështetet në asnjë ligj, në asnjë nen.

Drejtoresha: Jeni duke e interpretuar gabim atë, që keni në dorë.

Gazetarja: Nëse ti më thua, që ka një nen, apo ligj këtu…

Drejtoresha: Jeni duke e interpretuar gabim, zonjë.

Gazetarja: Pse?

Drejtoresha: Sepse udhëzimi 13 është shumë i qartë. Nëse një vend përcaktohet si vend i lirë, i lënë nga një mësues, që është larguar për arsye të tij, atëherë mësuesi, që e merr atë vend të lirë, gëzon të drejtën, për të patur një afat të pacaktuar. Është e para në portal dhe i takonte me ligj.

Gazetarja: Pse nuk ia keni arsyetuar drejtorit me ligj?

Drejtoresha: Ia kemi arsyetuar drejtorit me ligj.

Gazetarja: Ku?

Drejtoresha: Drejtori mund t’ju ketë paraqitur një prej shkresave të shumta, që ne i kemi bërë.

Gazetarja: Atëherë, pse Ministria nuk ju ka dhënë juve të drejtë, po ia ka dhënë drejtorit?

Drejtoresha: Ministria i ka dhënë të drejtë drejtorit?

Gazetarja: Po!

Drejtoresha: Po, pra. Është kompetencë e drejtorit, për ta bërë këtë gjë, jo e imja.

Gazetarja: Po ju, pse e keni nisur shkresën?

Drejtoresha: Sepse drejtori ka kërkuar hollësira.

Gazetarja: Nuk ka qenë një urdhër, që i keni bërë drejtorit, për ta mbajtur mësuesen?

Drejtoresha: Nuk është urdhër. Po ta interpretosh ligjërisht, mund ta kuptosh, që është kompetencë e drejtorit, për ta përcaktuar këtë gjë.

Nga ana tjetër drejtori i shkollës Aleksandër Duka tregon se drejtoresha e ZVA ka kryer dhe shkelje të tjera, duke nxjerrë të gjithë nxënësit nga klasat dhe ka bërë kontroll të jashtëligjshëm.

Gazetarja: Tani pyetja e fundit, që kam në lidhje me këtë shkollë, është që ju keni bërë një kontroll në atë shkollë, apo jo?

Drejtoresha: Unë? Jo!

Gazetarja: Nuk keni shkuar ju?

Drejtoresha: Kam shkuar, por nuk është kontroll ai.

Gazetarja: Çfarë?

Drejtoresha: Është monitorim.

Gazetarja: Po, monitorim. Si bëhet monitorimi, sipas jush?

Drejtoresha: Me një platformë të paralajmëruar dhe duke iu përmbajtur zërave të platformës.

Gazetarja: Që do të thotë, që ju i nxirrni nxënësit nga mësimi?

Drejtoresha: Jo, jo! Asgjë të vërtetë nga këto, nuk ka.

Gazetarja: Nuk ka asgjë të vërtetë? As që i bëni gjyqin drejtorit në sy të mësuesve?

Drejtoresha: Jo!

Gazetarja: Nuk ia keni bërë?

Drejtoresha: Jo! Asnjë lloj gjyqi! Ka qenë pushimi i gjatë, ndërkohë që unë kam folur me mësuesit.

Gazetarja: Sa kohë i keni mbajtur aty?

Drejtoresha: Vetëm 10 minuta.

Nga ana tjetër, lidhur me këtë rast  Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit, shprehet, se kjo nuk duhet bërë për asnjë arsye, pasi cenon mbarëvajtjen e procesit mësimor. Pas Ankesës së ZVA në DRAP Fier, është ngritur një grup inspektimi, ku për 7 orë janë kontrolluar dokumentet./tvklan.al




Të ngjashme