Rubrika “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e veçantë të zonjës Merita. Ajo para 1 muaji e gjysmë kishte shkuar në Australi për t’i bërë një surprizë motrës së saj për 50-vjetorin e lindjes. Por pas mbylljes së kufijve si rezultat i virusit, ajo ka mbetur aty.

Ka kaluar një kohë e gjatë që ajo ndodhet larg familjes, larg 3 fëmijëve dhe bashkëshortit, por gjithashtu edhe larg vjehrrës së saj.

Ajo tregon se ka një marrëdhënie shumë të mirë me vjehrrën, e cila e ka trajtuar gjithmonë si vajzën e saj.

Ardit Gjebrea:  Ti nisesh për të festuar 50-vjetorin e motrës dhe mbetesh atje?

Merita: Po është e vërtetë!

Ardit Gjebrea: Tani ka ditëlindjen vjehrra dhe ti nuk je dot këtu, por ndërkohë të ka marrë malli për 3 fëmijët e tu dhe për Nikolinin?

Merita: Po shumë! Mund ta imagjinosh, kush është nënë e di, por edhe ti që je prind!

Ardit Gjebrea: Mos më thuaj, se dhe unë e kam djalin larg.

Merita: E di, më ka shkuar në mendje dhe kjo. Erdha tek motra, se dhe kjo i ka rritur jetimë, pa burrë të tre fëmijët që ka. E ka marrë kunati i vet këtu në Australi, i ka rritur, janë martuar fëmijët, unë kisha 8 vjet pa e parë nipin, djalin e motrës. Kisha një mall të paparë.

Ardit Gjebrea: Po të paktën je duke u çmallur me motrën, me familjen e saj, je dhe me mamanë tënde!

Merita: Jam duke u çmallur!

Ardit Gjebrea: Por tani ka ardhur momenti që të kthehesh?

Merita: Me mendjen që unë do kthehesha në fakt. Ajo edhe Pashkën pa mua i ka patur shumë të vështira, e kam parë shumë të lodhur, ajo nuk e jep veten, por unë e njoh. Ardit pritja e saj si një vjehërr, gjithmonë pret nusen tek shtëpia, kur e do si vajzën e vet, kur e bën vendin në familje si për vajzën e vet. Unë e kam gjetur në atë shtëpi ngohtësinë e saj, gjithmonë. Edhe kur u nisa për këtu, tha shko nënë vetëm kënaqu ti, se të tjerat i rregullojmë ne këtu. Ajo është një njeri për mua special.

Ardit Gjebrea: Jam shumë i lumtur që sot në mbyllje të programit japim pikërisht këtë mesazh, nusja për vjehrrën, vjehrra që kujdeset për fëmijët e djalit që i thotë nuses, shko ti se do kujdesem unë.

Merita: Ardit kemi tolerancë me njëra-tjetrën, ne shkojmë shumë mirë gjithmonë, edhe unë bëj për atë. Ajo është një familje e madhe, ka festa, gjëra, unë shkoj me të gjithmonë, se burri është në punë, unë jam gjihtmonë më e lirshme, e çoj me makinë. Para një viti, ajo humbi dhe bashkëshortin, pra humbëm dhe gjyshin.

Ardit Gjebrea:  Ah sa keq, pra ka humbur dhe bashkëshortin, pra nuk e ke vjehrrin!

Merita: Jo, ai ishte një njeri special për mua, u bë baba pas babait tim, më deshi shumë. /tvklan.al