Emisioni “Stop” ka publikuar sot denoncimin e një qytetari nga Vlora, të cilit i kanë falsifikuar firmën dhe i kanë hapur probleme me bankës. Në muajin shtator,Antonio Avdiraj, ka shkuar të blejë një celular me kredi, por banka i ka thënë se ai ka një kredi për të shlyer në bankë, po për blerjen e një celulari.

Unë jam interesuar në këtë emision, pasi më është bërë një padrejtësi. Doja të merrja një telefon me këste dhe më thanë që je debitor, shkova tek banka dhe më thanë ke një kontratë që ke bërë, por unë nuk kam asnjë dijeni për këtë. Në kontratë kishin vendosur adresë, numër telefoni false, por kishin vendosur kartën që nuk e di nga e kanë marrë”, thotë Avdiraj.

Ai mohon që të ketë firmosur kontratë me bankën dhe shton se ka shkuar në Polici tek krimi ekonomik për të denoncuar përdorimin e emrit të tij. Në bankë i thonë, se në 30 mars 2020 ka firmosur një kontratë me një servis celulari në Vlorë, me administrator Kreshnik Rama.

Fill pas denoncimit, në skenë del i ati i administratorit të servisit, Skënder Rama, i cili i premton Antonios, se do ta mbyllë ai këtë problem. Sipas administratorit dhe të atit, celulari është blerë on line dhe këtu ka ndodhur ngatërresa.

Pas këtij denoncimi, Skënder Rama ka kërkuar takim me Antonio Avdirajn dhe i kërkon atij që të terheqe denoncimin, pasi i del ai garant që do i zgjidh problemin.

Skënder Rama: Jo do gjejë zgjidhje, po do gjejë zgjidhje si Çeçoja, se ne kemi miq, njerëz, shokë e vëllezër plot. Ai, apo kushdo, që i ka vënë emër kësaj pune, do e paguajë atë, që ka bërë. Ne do të kërkojmë falje ty, për të mbyllur situatën, por edhe ti do na kërkosh falje, se na je bërë havale.

Mos bëj më nxitime, se nuk është e mirë! Ti, po ç’ke, që i jep gojës? Ti mbylle dhe do i bisedosh me mua gjërat! Mos u nxito te flasësh për këtë çështje, për asnjë gjë! Unë dua, me ndihmën tënde, me forcën time dhe gjithë njerëzve, që na vijnë vërdallë, ta mbyllim, t’i vëmë emër e t’i mbyllim letrat, ashtu siç janë për t’u bërë. Ligji është ai, që ne duhet të mbyllim atë te burimi. Atje te burimi është pagesa. Të mbyllim atë dhe jemi në rregull bashkë. Unë do bëj pagesën. Nuk kam vrarë njerëz, as ti nuk ke vrarë njerëz.

Denoncuesi: Do thotë policia: Ti ke bërë kallëzim të rremë.

Skënder Rama: Po ik ore, ik, o polici! Hajde të bëjmë pagesën, që është për t’u mbyllur, të vemi bashkë, ore. Mos fantazo budallalliqe. Ç’na flet gjëra kot!

Denoncuesi: Çfarë do i thuash bankës?

Skënder Rama: Çfarë do i them unë bankës, e di unë, kur ta paguaj. Çfarë është ky muhabet? Do  bëjmë këtë, po sikur ta bëjmë edhe kështu.

Skënder Rama: Maksimumi është 1 javë. Unë mund ta bëj edhe më shpejt. Do ta mësosh ti emrin, kush e ka bërë, por jo tani. Mos ma kërko tani!

Denoncuesi: Ti e njeh?

Skënder Rama: Qysh nuk e njoh? Sepse unë jam zënë me atë, kam bërë llafe dhe i kam thënë “pse mor, te djali ynë e ke bërë ti këtë?”.

Por problemi nuk mbaron këtu, “Stop” ka shkuar tek servisi dhe ka takuar administratorin për të mësuar rreth kësaj çështje.

Gazetari: Kush e ka blerë këtë celular në këtë servis?

Kreshnik Rama: Ky celular është blerë “on line”. Është bërë me anë të telefonit dhe ka vajtur dikush, që.., domethënë, që ka firmosur, që e ka marrë si kontratë dhe ka vajtur, është firmosur. Kur është bërë kjo, ka filluar karantina.

Gazetari: Më 30 mars karantina, po mirë, lejohej të bëhej “on line”? Ti ke firmosur. Si ke firmosur?

Kreshnik Rama: Kjo ka vajtur njëherë pa firmën, pa firmën time. Kanë vajtur dy kopje. Një e merr personi, një e marr unë. Në momentin, që e merr personi, ai e ka firmosur. Pastaj e kam firmosur unë.

Gazetari: Antonio thotë, që nuk kam marrë kurrë një celular në këtë servis.

Kreshnik Rama: Kjo është firma ime dhe unë nuk mund ta mohoj, që është firma ime.

Gazetari: Me këto të dhëna, Antonio, ka ardhur ndonjëherë?

Kreshnik Rama: Fizikisht, tek unë, Antonio nuk ka ardhur.

Gazetari: Ti thua, që është bërë “on line”?

Kreshnik Rama: Thjesht është firmosur në shtëpi. Unë kam punuar gjithë marsin, pastaj fola me ata çunat e bankës dhe i kam hequr këto “on line”, se filluan këto problemet e njëpasnjëshme.

Gazetari: Një person tjetër, i afërmi juaj, ka bërë biseda me Antonion?

Kreshnik Rama: Jo!

Gazetari: Skënder Rama kush është?

Kreshnik Rama: Babai im!

Gazetari: Unë di, që z. Skënder ka bërë disa biseda me Antonion, ku i premton, që do ta shlyejë ai detyrimin.

Kreshnik Rama: Kur janë bërë këto biseda?/tvklan.al