Armand Shkullaku është i mendimit se duke u marrë me ato çfarë thotë Kryeministri Edi Rama në takimet e tij me banorët e prekur nga tërmeti, po shmanget përgjegjësia ligjore për atë që ndodhi. Nga studio e “Opinion”, analisti thotë se janë të paktën 3 fakte, pas së cilave ka përgjegjësi shtetërore. Një prej tyre Shkullaku thotë se është Thumana, fakti që pallati që u shemb ishte shpallur i pabanueshëm që prej 21 Shtatorit.

“Unë mendoj që më e rëndësishme se sa show ose protagonizmi i Ramës është arsyeja të kuptojmë pse po e bën këtë gjë? Ose çfarë pasojash mund të sjellë kjo gjë? Për mua janë dy pasoja. E para është shmangia nga çdolloj debati që bëhet e përgjegjësive ligjore për atë që ndodhi. Janë të paktën tre, mund të jenë më shumë, por 3 që unë marr përsipër me fakte të them që ka përgjegjësi shtetërore. Thumana, mbas tërmetit të 21 Shtatorit, edhe zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi që Bashkia i ka lajmëruar të gjithë banorët ku ndodhi tragjedia se ai pallat nuk është i banueshëm. Banorët kanë thënë që kishin shkresën nga bashkia që ai pallat nuk është i banueshëm. Deri më sot organet shtetërore kanë refuzuar, Kryeministri, qeveria që të nxjerrin këtë shkresë. Për mua futja e banorëve në një pallat që ishte shpallur rrezik shembje dhe vdekja e tyre si ajo që ndodhi është krim shtetëror”.

E dyta sipas Shkullakut është Kavalishenca e Ministrisë së Brendshme, për të cilën kishte një raport ekspertësh që vlerësonte se kjo ndërtesë kishte rrezik eminent.

“Kavalishenca e Ministrisë së Brendshme. Një raporti i përbërë nga katër ekspertë plus një arkitekt i Bashkisë së Durrësit i drejtohet Ministrisë së Brendshme, Zotit Lleshaj dhe i thotë që kjo godinë ka marrë dëmtime nga tërmeti i 21 Shtatorit. Nuk janë prekur strukturat mbajtëse, por ka rrezik eminent që rënia e tullave dhe objekteve të tjera mund të shkaktojë vdekje, thuhet aty. Dhe në atë godinë, edhe atë ditë që ka ndodhur tërmeti ka pasur studentë, por kanë ikur. Por ama një person që ishte brenda godinës humbi jetën, për mua edhe ky është krim shtetëror. Është paralajmëruar, janë lënë të rrinë në një godinë që ka pasur rrezik”.

Ndërsa e treta, Shkullaku thotë se është mos krijimi i Agjencisë së Emergjencave Civile që menaxhon situata të tilla.

“E treta është, mos krijimi i Agjencisë së Emergjencave Civile, ajo që menaxhon situatën. Po të marr vetëm një rast nga mungesa e kësaj Agjencie. U tha se nuk kishte kamera termike. U gjetën vetëm pas tre ditësh në depot e zjarrfikësve kamerat termike që i ishin dhuruar Forcave të Armatosura nga NATO. Pas tre ditësh zbuluam që i kishim. Ndërkohë, pas dy ditësh Veliaj bleu katër zjarrfikëse të përdorura jo në gjendje punë, në prokurim të drejtpërdrejtë dhe pa garë. Pra është krijuar gjithë ky kaos dhe për të shmangur përgjegjësinë, për të mos u ndalur te këto në shikojmë cirkun e Ramës. Dhe e dyta që shikoj me rrezik është që ne të gjithë po merremi me protagonizmin e Ramës. Është skandaloze që në një shtet normal individi të thotë po të mos isha unë çfarë do të kishit bërë ju. Këtë as Enver Hoxha nuk e ka bërë. Ne nuk duhet të varemi nga vullneti i 1-it, ne duhet të kemi strukturat”./tvklan.al