Riformatohet sipas marrëveshjes së 5 Qershorit

Nga e mërkura e 19 Gushtit, Komisioni aktual Qendror i Zgjedhjeve shpërbëhet, pasi hynë në fuqi ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të miratuara pas arritjes së marrëveshjes së 5 Qershorit, por të 5 anëtarët aktualë do të qëndrojnë në detyrë deri në përzgjedhjen  e kreut të ri të këtij institucioni.

Këto ndryshime diktojnë krijimin e një strukture të re të trupës, që do të administrojë proceset zgjedhore, e përbërë nga 3 shkallë, ku në krye vendoset një komisioner.

Nga dita e sotme brenda 60 ditëve ligji përcakton përzgjedhjen e drejtuesit dhe anëtarëve të rinj të Rregullatorit dhe Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Por kjo strukturë e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka përballë 3 sfida të mëdha që anëtari në detyrë i KQZ, Bledar Skënderi mendon se nuk do të jenë të lehta për t‘u përballuar.

“Hapja e listave, implementimi i teknologjisë në zgjedhje dhe votimi i emigrantëve”, u shpreh Skënderi.

Ndryshimet kushtetuese të miratuara në 30 Korrik imponojnë ndërhyrje të reja në Kodin Elektoral, që të detajojnë mënyrën sesi zgjedhësit do të votojnë me lista të hapura dhe pa koalicione parazgjedhore, me formatin që jemi mësuar në këto 30 vitet e fundit.

Për Skënderin nëse vullneti politik ekziston, koha është e  mjaftueshme që këto amendime të mund të bëhen në kohën e duhur, në mënyrë që të mos pengojnë dhe përgatitjet nga ana e Komisionit të ri Qendror të Zgjedhjeve për procesin zgjedhor të pranverës 2021.

Tv Klan