Nga Qeveria e Maqedonisë thonë se janë të kënaqur me atë që kanë dëgjuar nga Kancelarja Merkel në këtë takim. Në komunikatën zyrtare të Qeverisë thuhet se Shtatori mbetet muaji kur Bundestagu do të debatojë dhe me siguri do ta miratojë fillimin e negociatave.

“Kryeministri Zaev në takim ka theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut ka besim të plotë në Kancelaren gjermane Merkel dhe përkrah politikën e saj për procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe politikën e saj ndaj Ballkanit Perëndimor”.

Konfirmimi për këtë paralajmërim paraprakisht kishte arritur edhe nga deputeti i CDU-së në Bundestagun gjerman, Johan Vadefull, i cili në një deklaratë për Frankfurter Allgemeine Zeitung ka theksuar se në Shtator do të miratohet fillimi i negociatave.

Komunikatë ka lëshuar edhe kabineti i Kancelares gjermane Merkel, por në të nuk ka asnjë fjalë për perspektivat evropiane të vendit. Për këtë takim njoftohet përveç marrëdhënieve dypalëshe është biseduar edhe për çështje evropiane dhe  të jashtme politike.

Për momentin nuk ka asnjë informatë nëse është ndryshuar qëndrimi i Kryeministrit Zaev se nëse nuk merret data e negociatave në Qershor, ai do ta kthejë mandatin.

“Jemi të bindur se Maqedonia e Veriut do t’i fillojë negociatat me BE-në këtë vit”, ka shkruar Kryeministri Zaev në Facebook duke shtuar se Kancelarja gjermane Merkel i ka informuar se Bundestagu do të miratojë vendimin për hapjen e negociatave në Shtator, konform procedurave të Gjermanisë për zgjerimin e BE-së.

Tv Klan