Pas 29 vitesh Shqipëria del nga lista e vendeve nën monitorim nga Këshilli i Evropës.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi me votë unanime rezolutën e Komitetit të Monitorimit të Këshillit të Evropës për Shqipërinë.

Pjesa më e madhe e anëtarëve të Asamblesë kanë vlerësuar reformat dhe progresin e bërë nga Shqipëria në 3 shtylla kryesore, shteti i së drejtës, demokracia dhe të drejtat e njeriut.

Përfaqësuesit grekë në këtë Asamble ngritën sërish çështjen Beleri, por deputetet socialiste Blerina Gjylameti, Klotilda Bushaka dhe Etilda Gjonaj gjatë diskutimeve të tyre e konsideruan një çështje të drejtësisë dhe jo të politikës.

Në një reagim të tij, pas këtij vendimi, ministri i Jashtëm Igli Hasani falenderoi Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportuesin Ionut Stroe, për njohjen e reformave transformuese të drejtësisë në Shqipëri, luftën kundër korrupsionit dhe përparimin e Shqipërisë sa i përket të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

Sipas Hasanit, “angazhimi i Shqipërisë ndaj standardeve të Këshillit të Evropës, ka qenë i palëkundur dhe përpjekjet tona të pandërprera më në fund po japin rezultatet e shumëpritura”.

Shqipëria është anëtarësuar në Këshillin e Evropës më 13 Korrik 1995 dhe ishte në procedurë monitorimi që prej këtij viti.

Klan News