Greqia dhe Shqipëria hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre dypalëshe me vendimin për të përcaktuar kufijtë detarë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, tha ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias.

“Ky është një vendim shembullor se si çështjet e rëndësishme mund të zgjidhen kur të dy palët fokusohen në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe marrëdhënies së fqinjësisë së mirë”, tha Dendias në mesazhin e tij.

Ministri i Jashtëm grek përmendi lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Greqisë, kontributin e minoritetit grek në vendin tonë dhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Greqi, si një urë lidhëse miqësie mes dy shteteve.

Dendias përsëriti gjithashtu qëndrimin se Greqia mbështet pespektivën europiane të Shqipërisë.

Këto komente, ministri Nikos Dendias i bëri në një video-konferencë të organizuar nga Fondacioni Grek për Politikën e Jashtme Europiane në bashkëpunim me Fondacionin e Shoqërisë së Hapur në Shqipëri. /tvklan.al