Ministri për Punët e Jashtme dhe Evropën Igli Hasani ka takuar në Hagë,  ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pas takimit në dhomat e paraburgimit Hasani ishte optimist se e drejta një ditë do triumfojë ndërsa garantoi Thaçin se Shqipëria do të këmbëngulë për një proces gjyqësor të hapur e transparent.

Së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, Thaçi është akuzuar nga Haga për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës dhe përfshijnë kundërshtarë politikë.

Një vit më parë në Strasburg vetë kryeministri Rama bëri thirrje që të hartohej një raport tjetër lidhur me akuzat e paprovuara sipas tij ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në raportin e Dick Marty-t . Rama u tha parlamentarëve evropianë se këto akuza u sponsorizuan nga Rusia. Në muajin gusht të vitit 2022, Shqipëria i kërkoi zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën e vitit 2011 që të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës së Kosovës. Bazuar mbi këtë raport, Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij vijojnë që të jenë në paraburgimin e Hagës që nga data 5 Nëntor e vitit 2020.

Klan News