Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili gjatë vizitës së tij në Tiranë ka zhvilluar një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Gjatë intervistës, Sekretari Pololikashvili ka vlerësuar promovimin e turizmit në Shqipëri ku ka përmendur edhe faktin që Shqipëria vitin tjetër do të jetë vendi mikpritës i një prej panaireve më të mëdha ndërkombëtare në industrinë e turizmit, ITB Berlin. Sekretari Pololikashvili ka theksuar se Shqipëria po krijon produkte të shkëlqyera turistike.

Blendi Fevziu: Çfarë mund të bëjmë për të parandaluar shkatërrimin e mjedisit, historisë dhe kulturës? Ndonjëherë, turizmi masiv shoqërohet me shkatërrime të tilla.

Zurab Pololikashvili: Këtu ne mund të jemi shumë të dobishëm pasi kemi parë dhe shikojmë se çfarë ndodh në shtete të tjera dhe bazuar mbi këtë mund të ndërtojmë strategjinë se si të menaxhojmë me këto flukset, do të thosha. Ajo që jeni duke bërë me promovimin dhe Shqipëria do të jetë vendi mikpritës i ITB Berlin vitin tjetër dhe ITB-ja është një prej panaireve më të mëdha ndërkombëtare në industrinë e turizmit. Ju jeni duke ofruar produkte të larmishme si festivale, turizëm masiv, në të njëjtën kohë keni pjesën e bregdetit, keni malet, kultura është mjaft unike dhe ndryshe. Dua të themi se keni gjithçka për të krijuar dhe në fakt jeni duke krijuar produkte të shkëlqyera turistike.

Blendi Fevziu: Ndodhemi në zonën më të rëndësishme arkeologjike në botë. Ndodhemi në Mesdhe midis Greqisë së Lashtë dhe Perandorisë Romake. Ky është vendi më i mirë. Si e shikoni zhvillimin e turizmit… nuk dua të them në shtete të botës së tretë, por në shtete me probleme të mëdha, si shtete të Afrikës e cila është e jashtëzakonshme. Është një prej kontinenteve më të bukura në botë ose edhe në Amerikën e jugut?

Zurab Pololikashvili: Në rregull. Ne jemi duke zhvilluar një sërë projektesh sidomos në Afrikë dhe në Amerikën e Jugut. Kjo është një pyetje e lehtë për mua sepse ajo që bëmë kur nisëm me promovimin e turizmit afrikan ishte te ulemi me të gjithë ministrat afrikan pasi doja që ata të ishin të përfshirë dhe krijuam një plan me 10 pika lidhur me gjërat që duhet të ndryshojmë dhe të zhvillojmë në kontinentin afrikan për të tërhequr gjithnjë edhe më shumë vizitorë të huaj. Si fillim ka qenë dhe mbetet padyshim infrastruktura. Nuk dua të krahasoj Shqipërinë me Afrikën. Por pikërisht ajo që ju keni bërë dhe jeni duke bërë këtu është thelbësore. Pa infrastrukturë është e pamundur. Shkon në Afrikë dhe nuk ke rrugë, nuk ke tren, nuk ke aeroporte. Kjo është pika e parë. Pika e dytë, pas gjithë gjërave që po ndodhin në botë ditën e sotme, nuk kam për ta përmendur sigurinë sepse siguria është një çështje tjetër. Siguria shëndetësore ose një lloj tjetër sigurie. Këto janë një problem i madh kudo sot.

Blendi Fevziu: Po, e di por siguria është pak legjendë. Ndonjëherë mund të jesh më i sigurt në Afrikë se në Londër.

Zurab Pololikashvili: Pikërisht. Kjo është arsyeja pse nuk duhet përmendur siguria. Së dyti ishin investimet, paratë. Dua të them se të gjitha shtetet kanë nevojë për investime në sektorin e turizmit. Do e ndaj në dy pjesë. E para është infrastruktura siç jua përmenda dhe qeveria duhet të kujdeset për të investuar në infrastrukturë sepse sektori privat kurrë nuk do të investojë aty, por duke zhvilluar infrastrukturën, ka investitor privat të cilët vijnë për të ndërtuar hotele dhe vende të tjera turistike. Më pas ishte çështja e vizave dhe lidhja. Afrika ka një problem dhe një sfidë shumë të madhe. Lidhjen. Sepse për të shkuar nga Kenia në Tanzani të kushton tri herë më shumë se të shkosh në Nju Jork. Diçka që nuk ka logjik./tvklan.al