Shtyhet mbledhja e dy qeverive


Shtyhet mbledhja e dy qeverive

16:31 24/09/2020

Shkak, diskutimi i ligjit të rimëkëmbjes ekonomike

Ndonëse ishte paraparë të mbahej këtë të premte mbledhja e përbashkët e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, është shtyrë për të premten e ardhshme. Kryeministri Avdullah Hoti ka bërë të ditur se kjo është bërë me kërkesë të tij, pasi e cilëson të rëndësishme të marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit ku pritet të votohet ligji për rimëkëmbje ekonomike.

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive do të diskutohet edhe për linjën hekurudhore Prishtinë-Durrës.

“Një marrëveshje e veçantë është për linjën hekurudhore. Kemi edhe mbështetjen e qeverisë së SHBA që çojmë përpara këtë projekt, edhe dakordimin e kryeministrit Rama, që në numrin e marrëveshjes që do të nënshkruajmë të jetë edhe marrëvëshja për linjën hekurudhore”.

Hoti nuk e di nëse do të mbahet takimi i paraparë më 28 shtator me Presidentin serb Vuçiç në Bruksel. Ndonëse Beogradi zyrtar ka paralajmëruar se nëse nuk diskutohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe atëherë mund të anulohet takimi, Hoti këmbëngul se për këtë çështje nuk do të diskutohet fare.

“Kjo temë nuk do të diskutohet në Bruksel pasi që kjo temë është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër e vitit 2015. Ne jemi të interesuar të çojmë përpara procesin e dialogut sepse është interes strategjik i Kosovës, rajonit dhe mbarë Evropës”.

Hoti nuk i ka komentuar deklaratat e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj se ka pajtueshmëri ndërmjet liderëve politik që ai do të jetë President i ardhshëm i Kosovës. Sipas tij është ende herët dhe kjo çështje do të diskutohet tek në Shkurt të vitit të ardhshëm.

Tv Klan





Të ngjashme