Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tregoi mbrëmjen e kësaj të marte në “Opinion” mënyrën sesi do të votojmë në zgjedhjet e 25 Prillit.

Celibashi theksoi se “votuesi duhet ta ketë të qartë që do bëjë zgjedhje brenda atij interesi politik që ka. Nuk mund të zgjedhë një parti dhe kandidatin e një partie tjetër. Do të duhet të zgjedhë partinë dhe nëse dëshiron dhe kandidatin e asaj partie, apo koalicionin”.

Kjo do të thotë se nëse ju zgjidhi një parti dhe kandidat zgjidhi dikë që është në radhët e një partie tjetër, atëherë vota juaj do të jetë e pavlefshme. Me rëndësi janë gjithashtu shenjat që përdorni për të zgjedhur partinë apo kandidatin tuaj të dëshiruar, që duhet të jenë “X” ose “+”.

Blendi Fevziu: Votohet në kuadratin e parë, aty ku shkruhet numri me shenjën X ose +.

Ilirjan Celibashi: Këtu ke të drejtë të votosh vetëm partinë politike dhe nuk dëshiron të zgjedhësh asnjë kandidat.

Blendi Fevziu: Pra kjo fletë është e vlefshme.

Ilirjan Celibashi: Është e vlefshme, votuesi mund të votojë vetëm partinë.

Blendi Fevziu: Veç partisë politike ke të drejtë të votosh një kandidat të asaj partie, i cili do të numërohet si votë personale e kandidatit. Kjo është një formë votimi. Një formë e dytë votimi është përmes kryqit po brenda kutive të votimit.

Ilirjan Celibashi: Pra zgjedh vetëm një parti politike dhe vetëm kandidatin e asaj partie politike apo koalicioni.

Blendi Fevziu: Ndërkohë është e pavlefshme nëse zgjedh edhe një kandidat tjetër, është e pavlefshme për kandidatin, por e vlefshme për partinë.

Ilirjan Celibashi: Me pak fjalë zgjedhësi ka të drejtë të zgjedhë vetëm 1, ose parti politike dhe koalicion, ose kandidat. Nuk mund të zgjedhë në asnjë lloj rrethane dy kandidatë, apo dy parti politike, apo dy koalicione.

Blendi Fevziu: Po nëse ai zgjedh partinë e parë dhe zgjedh deputetin tek partia e dytë?

Ilirjan Celibashi: Është e pavlefshme.

Blendi Fevziu: Është e pavlefshme komplet fleta.

Ilirjan Celibashi: Po është e pavlefshme.

Blendi Fevziu: Pra kjo fletë nuk vlen fare. Humb edhe votën e partisë dhe të kandidatit.

Ilirjan Celibashi: Votuesi duhet ta ketë të qartë që do bëjë zgjedhje brenda atij interesi politik që ka. Nuk mund të zgjedhë një parti dhe kandidatin e një partie tjetër. Do të duhet të zgjedhë partinë dhe nëse dëshiron dhe kandidatin e asaj partie, apo koalicionin.

Ndërkohë shenjat e tjera përveç X dhe + e bëjnë fletën e votimit të pavlefshme. Mundohuni që të votoni brenda kutisë së përcaktuar në fletën e votimit./tvklan.al