Në Dhjetor të vitit 1990, Ilir Meta u takua me Presidentin e asaj kohe Ramiz Alinë në Pallatin e Brigadave për të diskutuar për rrëzimin e komunizmit.

Por si e kujton Meta atë takim? Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Meta shprehet çështja kryesore e takimit ishte pluralizmi.

Gazetari: Dhe u takuat në Pallatin e Brigadave në atë kohë. Si e kujtoni takimin me Ramiz Alinë? Kishit frikë? Kishte tension? Ishit të bindur se do ta merrnit pluralizmin?

Presidenti Meta: Ajo që kujtoj më shumë është momenti për të vajtur te takimi, sepse ekzistonte një ide e përgjithshme që mund të jetë një kurth.

Gazetari: Po, patjetër.

Presidenti Meta: Ndaj dhe si garanci, për të pasur një qetësi e lehtësim psikologjik, bashkë me ne studentët, në autobusin për në Pallatin e Brigadave, erdhën si garantë zoti Gjinushi, Ministër i Arsimit dhe zoti Bashkurti, Sekretar i Parë i Rinisë në atë kohë. Pra e para ishte pasiguria se çfarë do të ndodhë. E dyta…

Gazetari: A kishit përgatitur një platformë për në bisedime?

Presidenti Meta: Po, besoj se diçka e tillë ishte dakorduar. Ishte diskutuar për çështjen e pluralizimit, sepse kjo ishte kthyer tashmë në kërkesën kryesore dhe kuptohet se kjo ishte platforma kryesore.

Gazetari: Vetëm pluralizimi?

Presidenti Meta: Po, kjo ishte çështja kryesore.

Gazetari: Dhe në Pallatin e Brigdave me Presidentin e vendit, i cili në fakt ishte Sekretari i Parë i Partisë së Punës…

Presidenti Meta: Ai sapo dilte nga pleniumi i Komitetit Qendror.

Gazetari:  Ishte i hapur apo agresiv me ju Ramiz Alia?

Presidenti Meta: Ishte një politikan, që gjithmonë testonte.

Gazetari: E dinte Ramiz Alia që i kishte ardhur fundi Partisë së Punës atë ditë?

Presidenti Meta: Besoj se ka qenë i ndërgjegjshëm. Nga çfarë unë kam biseduar me Ramiz Alinë më pas, edhe pas 10 vitesh apo në periudha të mëvonshme mendoj se ai ishte i ndërgjegjshëm që ishte një proces që duhet të ndodhte. A ka dashur ai ta ketë procesin sa më shumë nën kontroll? Padyshim që po, por ai shikonte raportin e forcave dhe i përshtatej asaj situate. /tvklan.al