Ministri i Brendshëm, Taulant Balla foli për masat që task forca ka marrë për të ofruar siguri për fëmijët në shkollë.

Duke dhënë disa shifra për ndalimet e shpërndarësve të drogave pranë shkollave, ministri Balla tha se shqetësim janë drogat sintetike.

Taulant Balla, ministër i Brendshëm: Janë mbi 1100 shpërndarës lëndësh narkotike të ndaluar nga Policia e Shtetit, edhe pse e di shqetësimin që një pjesë e mirë e qytetarëve e shprehin që pas miratimit të aministisë, një pjesë e tyre, do të rikthehen përsëri në rrugë për t’ia nisur “avazit”. Mesazhi im është shumë i qartë që Policia e Shtetit është përsëri aty, me gatishmëri edhe më të lartë.

Një tjetër pikë ku ministri u fokusua ishte dhe ashpërsimi i penaliteteve ndaj shkeljeve rrugore brenda perimetrit të sigurisë së shkollave.

Taulant Balla, ministër i Brendshëm: Do të ketë një penalitet të paktën dyfish më i lartë. Kur ti shkel shpejtësinë pranë një shkolle, ti nuk mund të ndëshkohesh vetëm me penalitetin që përcakton kodi rrugor sa për një gjobë apo ulje të pikëve në patentë.

Gjatë kësaj konference Balla foli dhe për projektin më të fundit të pajisjes me kamera dhe radar të rrugëve në 19 qytete.

Taulant Balla, ministër i Brendshëm: Pajisje me kamera në 19 qytetet më të mëdha të vendit, me një fokus të veçantë për rrugët që shkojnë në shkolla për të shkuar edhe në një nivel tjetër atë të largimit të policisë nga rrugët për ta zëvendësuar rolin e policisë me kamerat dhe radarët të cilët duhet të garantojnë një nivel më të lartë sigurie dhe shumë shpejt do të kemi të mundur 200 kilometrat e para të rrugëve kryesore të vendit të monitoruara kryesisht me kamera dhe radarë.

Sipas ministrit Balla në fokus të kontrolleve janë edhe shitja e alkoolit dhe pijeve energjike për të mitur, e cila është e ndalur me ligj si dhe mbyllja e të gjitha subjekteve që shesin produkte të skaduara në afërsi të shkollave.

Klan News