Situata e rënduar e Covid, Kurti thirrje qytetarëve të vaksinohen: Kemi doza mjaftueshëm


Situata e rënduar e Covid, Kurti thirrje qytetarëve të vaksinohen: Kemi doza mjaftueshëm

11:13 08/09/2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Covid-19. Gjatë mbledhjes së qeverisë të zhvilluar sot, Kurti u është drejtuar qytetarëve duke thënë se ka mjaftueshëm doza dhe të gjithë duhet të vaksinohen.

Më datën 8 gusht, nuk e kishim asnjë të vdekur në Kosovë, por këto tri javët e fundit janë javët më të rënda për popullin e Kosovës dhe më të vështira për institucionet e shtetit tonë.

I shpreh mirënjohjen dhe falënderimin të gjithë punonjësve shëndetësorë, mjekëve dhe infermierëve për angazhimin vetëmohues, për t’u dalë në ndihmë të prekurve nga virusi në kohën e variantit Delta i cili është shpërndarë në mënyrë eksplozive.

Ju bëj thirrje të gjithë atyre që nuk janë vaksinuar që të caktojnë termine, sepse vaksina kemi mjaftueshëm dhe çdo ditë po pranojmë doza të reja”, u shpreh kreu i qeverisë.

Po ashtu ka njoftuar se në ditët në vijim në Kosovë do të vijnë doza të tjera vaksinash, që do të kalojnë mbi 1 milion që nga marrja e vaksinës së parë.

Kosova në javët e fundit po përballet me një valë të shtuar të Covid, ku çdo ditë numri i viktimave dhe infektimeve të reja është shumë i lartë./tvklan.al







Të ngjashme