Radhët e makinave shkojnë deri në 12 kilometra

Për të tretën ditë me radhë mijëra qytetarë shqiptarë, mes të cilëve edhe shumë fëmijë e të moshuar, presin në radhë në dy pikat kryesore të  kalimit kufitar me Greqinë për t’u rikthyer në vendbanimet e tyre. Situata paraqitet më problematike në pikën e kalimit të kufirit në Kakavijë, ku radhët makinave ditën e sotme kanë arritur deri në 12 kilometra.

Në përkeqësimin e saj ndikoi edhe vendimi i palës greke për të ndërprerë punën gjatë natës, duke detyruar shumë emigrantë shqiptarë që ta gdhijnë ditën e sotme nëpër makina.

Pavarësisht komunikimeve të vazhdueshme mes autoriteteve të të dyja vendeve procedurat e ndjekura nga pala greke janë tepër të avashta. Qytetarët tregojnë se shkak për vonesat është bërja e tamponit, pasi sipas tyre në dispozicion janë vetëm dy mjekë.

Problematike paraqitet situata edhe në Kapshticë, ku gjatë paradites së sotme radhët shkuan deri në 3 kilometra. Siç mësohet pala shqiptare punon me 8 sportele, ndërkohë që ajo greke vetëm me 3.

Stresin dhe lodhjen e pritjes e shton akoma më shumë temperaturat e larta, si dhe mungesa e ushqimeve dhe ujit.

Tv Klan