Deputeti kristiandemokrat mori 25% për kontrata maskash

Shuplakë në fytyrë për CDU-në, partinë e kryesuar për disa vite nga Angela Merkel, mund të konsiderohet skandali korruptiv në blerjen e maskave kundër koronavirusit. Skandali ka në qendër deputetin kristiandemokrat Nikolas Loebel.

Njeriu i kancelares akuzohet se ka përdorur mandatin e tij si deputet për të siguruar disa marrëveshje për furnizimin me maska anti-Covid, që i kanë garantuar një fitim prej të paktën 250 mijë eurosh.

Megjithë këtë skandal, ky lobist që qarkullonte shpesh në shtete të varfra të Ballkanit Perëndimor duke ofruar mbështetje politike për qeveritë, ngurroi për dite me radhë të dorëhiqej nga mandati i deputetit, që dëshironte ta mbante deri më 31 Gusht.  

I gjendur nën një presion të madh nga opinion publik dhe nga partia, vetëm këtë të hënë 34-vjeçari e ka dorëzuar mandatin e tij në Bundestag. Skandali ka tronditur opinionin publik, ndërsa mediat gjermane e kanë etiketuar deputetin si zhvatës dhe të babëzitur.

Ai ka përdorur pandeminë për të ndërmjetësuar disa marrëveshje për shitjen e maskave në zonën e tij elektorale duke u kthyer nga tregtar në vend që të ishte shërbëtor i popullit.

Mediat gjermane kanë publikuar letrat që deputeti kristiandemokrat u kishte dërguar kompanive të ndryshme për furnizimin me maska, çka i ka sjellë atij fitime të mëdha në kohën e pandemisë 25% komision ose 250,000 euro për çdo dërgesë me maska anti-Covid 19.

Në sondazhet elektorale gjërat nuk dukeshin shumë mirë për CDU-në në rajonin e Baden-Württemberg edhe përpara skandalit të maskave ku partia që udhëhiqej dikur nga Angela Merkel shënon rënie në 17 përqind mbështetje popullore para zgjedhjeve rajonale më 14 Mars.

Klan News