Taulant Manaj dhe Florian Progni, dy ish – specialistë pranë Agjencisë së Mjedisit janë dënuar me nga 1 vit e 4 muaj burg nga Gjykata e Tiranës.

Ata u dënuan me gjykim të shkurtuar, ndaj iu është ulur 1/3 e dënimit. Taulant Manaj gjithashtu për 5 vjet nuk mund të ushtrojë funksione publike, ndërsa Florian Progni, për 3 vite nuk mund të ushtrojë funksione publike.

Ata u shpallën fajtor për skandalin me lejet mjedisore, i zbuluar nga emisioni investigativ “STOP”, i cili transmetohet në Televizionin Klan.

Sipas filmimeve të shfaqura, Florian Progni kishte rolin e sekserit në këtë skemë korruptive, ndërsa Taulant Manaj ishte personi që merrte paratë.

3 mijë euro kërkonin këta persona, që një biznes të pajisej me leje mjedisore. Florian Progni pranon në filmimin e transmetuar në emisionin “STOP” se, ky nuk ishte rasti i vetëm që merreshin para në këmbim të dhënies së licencave.

Pjesë nga vendimi i Gjykatës:

I pyetur ne lidhje me rrethanat e hetimit, i pandehuri Taulant Manaj, ka pranuar biseden e zhvilluar me shtetasin Ardian Miceli, duke shpjeguar se shumën e ka marrë djali i hallës së tij, i pandehuri Florian Progni, i cili është student në Fakultetin Ekonomik dhe plotëson dokumentacionin për marjen e lejes mjedisore.

Ky i fundit ka pranuar marrjen e shumës 350.000 lekë nga shtetasi A.M. Ai ka deklaruar se këtë shumë e ka marrë me qëllim që të plotësonte formularin, e ka mbajtur të gjithën për vete, pra nuk ia ka dhënë djalit të dajës së tij, të pandehurit Taulant Manaj.

I pandehuri Taulant Manaj,  filimisht i ka kërkuar shumën 3000 Euro shtetasit A.M dhe me pas i ka ulur shumën 70000 lekë duke rënë dakord për pagesën përfundimtare 350.000 lekë. Shuma e dorëzuar të pandehurit Florian Progni, përputhet me shumën e kërkuar dhe dakordësuar më parë ndërmjet të pandehurit Taulant Manaj dhe deklaruesit A.M. Menjëherë pas dorëzimit të shumës se parave, shtetasi A.M, ka marrë lejen mjedisore.

Të pandehurit, nëpërmjet mbrojtësit të tyre shprehën pendim të thellë për veprimet e kryera prej tyre dhe kërkuan një masë dënimi sa më të butë, duke aplikuar edhe dënimin alternativ të parashikuar nga neni 59 të K.Penal, për shak se eksiztojnë disa arsye : a) vlera e ulët e shumës së përvetësuar; b) në veprimet e tyre të pandehurit janë ndikuar edhe nga veprimet e shtetasve A.M dhe vëllait të tij A.M ; c) veprimi i të pandehurve ka qenë vetëm një episod dhe jo një vijë sjelljeje e tyre, nuk kanë qënë të dënuar më parë, kanë një sjellje shumë të mirë në komunitetin ku jetojnë. /tvklan.al