Gentian Ruçi rezulton të jetë person me precedent penal në vendin tonë. 34-vjeçari, i cili njihet edhe me emrin Denito Ruçi, është dënuar dy herë me vendim gjykate.

Më 2 Dhjetor 2005, Gentian Ruçi është shpallur fajtor nga Gjykata e Sarandës për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje”.

Në atë kohë vetëm 19 vjeç, gjykata e dënoi atë me gjobë 1 milion Lekë të vjetra.

Sipas vendimit të siguruar nga emisioni “Uniko”, Gentian Ruçi i kishte shkaktuar dëmtime fizike një gruaje, pas konfliktit që kishte nisur për çështje pronësie.

“Më datën 25 Gusht 2005 rreth orës 10:00, e dëmtuara dhe bashkëshorti i saj janë grindur me të pandehurin Gentjan Ruçi për çështje pronësie të një trualli dhe të një fiku. Në grindje e sipër, sipas të dëmtuarës pretendohet që i pandehuri Gentian Ruçi ta ketë qëlluar atë me grushte dhe shqelma duke e shtrirë për tokë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Sarandës.

Nga ekspertiza mjeko-ligjore u arrit në konkluzionin se gruaja e goditur nga Gentjan Ruçi kishte pësuar hematoma në kokë.

Gjashtë muaj më vonë, Gentjan Ruçi paraqitet sërish në dyert e gjykatës. Tashmë ai dënohet me 2 milionë Lekë gjobë.

Në vendimin gjyqësor, që disponohet nga emisioni “Uniko”, evidentohet se Gentian Ruçi ka qenë në makinë me një shokun e tij, kur xhiruan gomat e mjetit pranë banesës së një qytetari. Ky i fundit reagoi duke i pyetur dy të rinjtë përse bënë këtë veprim.

Ndërsa Gentian Ruçi dhe shoku i tij u kundërpërgjigjën të tensionuar, thuhet në vendimin e gjykatës, duke u grindur me pronarin e shtëpisë dhe bashkëshorten e tij.

Më pas, dy të rinjtë shkuan në shtëpinë e tyre dhe që prej andej shoku i Gentian Ruçit qëlloi me automatik në drejtim të banesës së personit me të cilin u konfliktuan. Gentian Ruçi, ose Denito Ruçi, mblodhi gëzhojat e armës që ranë në tokë për të mos i gjetur policia duke i hedhur në disa shkurre, ndërsa shoku i tij u arratis në drejtim të malit. Nga ngjarja nuk pati persona të lënduar. Prokuroria e akuzoi Gentian Ruçin edhe për armëmbajtje pa leje, por gjykata e rrëzoi këtë pretendim pasi nuk u provua, duke e dënuar përfundimisht për prishje të qetësisë publike.

Problemet e Gentian Ruçit me drejtësinë kanë tejkaluar edhe kufijtë e Shqipërisë. Në 5 Gusht 2019, 34-vjeçari kishte kaluar ilegalisht kufirin drejt Greqisë përmes fshatit Kakavijë. Ai u kap në Greqi nga autoritetet greke dhe u gjobit, ndërsa në datë 7 Shtator 2019 u deportua drejt Shqipërisë. Emisioni “Uniko” ka mësuar gjithashtu se Gentian Ruçi ka jetuar për disa vite edhe në Itali në provincën Massa-Carrara. E paqartë mbetet arsyeja përse ai është deportuar dhe cilat janë problemet ligjore që ka me autoritetet greke dhe italiane. /klanplus