Java e 12-të e Superligës nis ditën e sotme me dy përballje tepër interesante. Tirana kryesuese kërkon të përsërisë suksesin e arritur ndaj Egnatias, teksa në orën 16:45 do të presë në stadiumin ‘Air Albania’ Kastriotin e vendit të fundit.

Sezonin e shkuar, krutanët befasuan bardheblutë në vetëm një rast, ndërsa regjistroi dhe një barazim e dy humbje.

Por historia e duelit të sotëm pritet të jetë e ndryshme, me trajnerin Orges Shehi, i cili beson se djemtë e drejtuar prej tij nuk do hasin shumë probleme ndaj skuadrës më të dobët deri në këtë pikë të sezonit.

Kastrioti nuk fiton prej tetorit mes kampionatit dhe Kupës, e nga kjo situatë kërkon të përfitojë dhe Tirana.

Me interes është edhe dueli tjetër i kësaj të marte, Dinamo-Teuta.  Dy skuadrat gjenden në vendet 6 dhe 7, me kampionët në fuqi që kanë një pikë më shumë.

Fitorja e fundit në kampionat për skuadrën e drejtuar nga Arapi daton në 23 tetor, ndërsa në 5 sfidat e fundit ka marrë vetëm 3 pikë. Edhe Dinamo nuk po kalon një formë të mirë dhe ndaj kampionëve vjen pas humbjes shokuese dhe me goleadë, 5-0 ndaj Laçit. Përballja mes Dinamos dhe Teutës do luhet në orën 16:45 në stadiumin ‘Elbasan Arena’.

Klan News