Shkëlzen Buci akuzohet nga ish-shoku i tij që sot është dëshmitar i drejtësisë, Miklar Tola, për vrasjen e motrës së tij Eglantina Buci, ngjarje që u zbardh në Shtator 2020.

Në një lidhje telefonike për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, Shkëlzen Buci ka rrëfyer se si është njohur me Miklar Tolën në vitin 2011.

Ai thotë se në atë kohë, Miklar Tola punonte si furnitor i tij në tregun e fruta-perimeve. Shkëlzen Buci hedh poshtë të gjitha akuzat e dëshmitarit Miklar Tola dhe thotë se nuk mund t’i tregonte një personi që sapo kishte njohur, për vrasjen e motrës. Buci i bën thirrje Miklar Tolës që të tregojë personin e vërtetë që ka vrarë Eglantina Bucin.

Spartak Koka: Kur e keni njohur për herë të parë Miklar Tolën dhe mund të më përshkruash marrëdhënien që keni patur ju me të gjatë gjithë këtyre viteve.

Shkëlzen Buci: Unë kam punuar me dyqan fruta-perimesh. Tek Tregu Agro-Ushqimor Miklari kishte një dum-dum. Dhe Miklar Tola në jetën time ka qenë thjesht një njeri që ishte furnitor në dyqanin tim, që sillte fruta dhe perime. Dhe për një periudhë aq të shkurtër, se unë sapo e kisha njohur në atë kohë dhe nuk kam menduar kurrë që Miklari mund të ishte një përbindësh i tillë që të më bënte këtë lloj marifeti, dhe si mund që një njeri që sapo e ke njohur t’i besosh një diçka kaq të madhe.

Spartak Koka: Në cilin vit e ke njohur Miklar Tolën?

Shkëlzen Buci: Jo më vonë viti 2011 mund të ketë qenë.

Spartak Koka: Ju jeni të dy me origjinë nga Dibra apo jo?

Shkëlzen Buci: Po, unë jam nga Lura, ai më duket se është nga zona në kufi me Maqedoninë.

Spartak Koka: Ju jeni njohur për shkak se vinit nga e njëjta zonë apo rastësisht në tregun e Pazarit të Ri?

Shkëlzen Buci: Marrëdhënia jonë ishte vetëm që Miklari më sillte furnizimet si çdo furnitor tjetër që unë kam shumë emra të tjerë që kam punuar me persona të tjerë, por Miklarin e merrja në atë periudhë meqë ishte djalë i ri, ishte më i shpejtë edhe ma bënte punën në mënyrë më perfekte. Ai ka qenë punëtori im dhe asgjë më tepër. Pastaj periudha tjetër se si i ka krijuar ai lidhjet, se çfarë ka bërë ai dhe format e tjera, mua më vjen shumë keq që policia dhe Prokuroria nuk kanë bërë asnjë lloj hetimi në lidhje me kronologjinë e gjithë ngjarjes. Ai ka përmendur shumë emra aty që unë nuk i njoh fare.

Spartak Koka: Punëtori juaj është ai person që zbardhi se kush është e vërteta e motrës tënde dhe eshtrat që ishin gjetur në 2012…

Shkëlzen Buci: Për këtë pjesë atë e përgëzoj dhe i jam shumë mirënjohës. Por ka vetëm një diçka, i lutem që të nxjerri personat e saktë dhe personin autentik kush ka qenë në vendngjarje.

Spartak Koka: Në rast se ju nuk jeni autori, çfarë qëllimi ka Miklar Tola kundër jush personalisht për t’ju akuzuar për një ngjarje kaq të rëndë?

Shkëlzen Buci: Mendoj vetëm për faktin e 2017, sepse arsye tjetër unë atij njeriu dhe asaj familje nuk i kam asnjë lloj borxhi dhe asnjë lloj detyrimi. /tvklan.al