Kërkesa e Gazment Bardhi për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama në lidhje me akuzat që ka hedhur në drejtim të vëllait të kreut të qeverisë është bërë temë debati këtë të enjte në parlament.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, i konsideroi akuzat e Bardhit një çorbë dhe tha se nuk kanë lidhje me punën e Kuvendit. Ajo u shpreh se duhet pritur që të flasë drejtësia për këtë çështje.

Ndërsa Bardhi u shpreh se dosjen e prokurorisë e ka marrë në arkivat e saj dhe nuk ka shpikur asgjë. Ai i tha Spiropalit që t’i japë zemër kryeministrit që të dalë për të dhënë llogari për këtë çështje. 

Elisa Spiropali: Zoti Bardhi ju duhet të jeni shumë i qetë sepse çorba që u gatua së pari nga zoti Berisha për konsum publik pastaj u risoll e ngrohur nga zoti Basha në mexhlisin politik dhe tani e risillni ju akull fare sërish këtu për ta konsumuar, për të goditur kryeministrin për t’u marrë me familjarë të tij, se kjo është një gjë shumë e vjetër dhe nuk besoj se përbën ndonjë risi në këtë Kuvend, ka hyrë sot në laboratorin e SPAK-ut ku do t’i bëhen analizat, si nga këndvështrimi juaj ashtu dhe nga këndvështrimi i viktimës të sulmit tuaj të përsëritur dhe të them të drejtën shumë bajat. Ju që që jeni edhe kallëzues edhe i kallëzuar për rastin në fjalë do të keni mundësinë që në SPAK i nderuar zoti Bardhi do merrni përgjigjen e duhur nga drejtësia që e ka këtë detyrë qoftë nëse jeni kallëzues i vërtetë apo nëse jeni kallëzues i rremë, siç përgjithësisht keni dalë si familje politike. Kuptojeni që kjo çorba juaj nuk ka lidhje me seancën plenare, nuk ka asnjë lidhje me nenet e rregullores, nuk ka asnjë lidhje së pari sepse ju nuk jeni prokuror dhe nuk mund ta vini gishtin këtu dhe lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj siç e kemi lënë ne vijimësisht. Këto nuk janë çështje të procedurës, këto janë akuza të rënda penale. Dhe siç ka thënë viktima e sulmit tuaj o të shkojë në burg ai si trafikant, ose të përgjigjeni ju para drejtësisë si kallëzues i rremë se dy mënyra ka. Të presim të gjithë qetësisht SPAK-un sepse mesa kam kuptuar, si ne, si ju kemi besim të gjithë tek SPAK-u.

Gazment Bardhi: Zonja ministre zakonisht kur ke të drejtë ngrihesh në këmbë dhe flet me duar. Sot ishe ulur dhe gjatë fjalës sot e mbajte kokën e ulur. Të kuptoj është e vështirë t’i dalësh në mbrojtje një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Sa për fshehjen, duket mirë kush po fshihet. Jam në seancë. Kam ardhur me dosjen. Kisha bërë edhe një kopje për zotërinjtë me ia dhënë. Është fshehur. Nuk vjen as të japë llogari për punën e policisë, as të japë llogari për çfarë bënte i vëllai me makinën që përdornin trafikantët. As nuk vjen të japë llogari që i vëllai gënjente në çdo deklaratë publike që ai i ka shkruar në emrin e tij. Prandaj faktet janë këto që po themi, unë nuk kam shpikur rrotë, kam marrë dosjen e prokurorisë që ju shpresonit ta zinte pluhuri i harresës përjetë, e kam nxjerrë nga arkiva e prokurorisë, e kam çuar në prokurori me kallëzim siç kam bërë për çdo denoncim dhe gjer më sot kam dëgjuar unë Valdrin Pjetrin, Agim Kajmakun, Elvis Rroshin, cilindo që kam denoncuar në të njëjtën formë. Kanë dalë dhe më kanë thënë të njëjtën gjë që thatë ju sot, që tha Edi Rama dje dhe që tha Olsi Rama para 3 ditësh, por e vërteta ka dalë dhe në sytë e çdo qytetari shqiptar. Prandaj përpara se të na japësh ne leksione për fshehje, nuk jam fshehur kurrë. Nuk fshihem kurrë. Jepi pak zemër atij që ke në krahë, të vijë dhe ai të mos fshihet dhe të përballet me të vërtetën e të japë sqarime për të vërtetën./tvklan.al