Pasioni për stilimin dhe krijimin e veshjeve, stilisten e famshme Teuta Matoshi e ka shoqëruar që në moshë të vogël. Me kreativitetin e një vajze të pasionuar pas modës dhe të bukurës, Teuta krijonte veshje për kukulla dhe bënte skicime pa ndërprerje. Dëshira për të pasur veshje që të mbanin emrin e saj bëri që ajo të niste studimet për “Fashion design”.

Fillimisht ajo spikati me krijimin e palltove dhe fustaneve dhe në vitin 2013 depërtoi në tregun e modës dhe solli fustane plot stil dhe ngjyra. Në 2016-ën ajo realizoi një sfilatë me veshje të cilat mbanin emrin e saj dhe më pas krijimtaria e saj kaloi Kosovën dhe Shqipërinë. Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur më gjerësisht për karrierën e saj dhe pasionin për stilimin.

“Në familje jemi rritur me muzikë, por kemi ditur ta gërshetojmë me veshjet. Dëshirën për të realizuar veshje e kam pasur që e vogël. Ne jemi shumë motra në familje dhe kjo më ka ndihmuar të zhvillohem edhe më shumë. Me kujtohet që motra ime e madhe bënte veshje dhe kjo gjë u përcoll edhe tek unë. Gjithçka që më rrethon më frymëzon, gjithçka e bukur. Ngjyra ime e preferuar është e gjelbra. Në fillim kam stiluar veshje të përditshme, por duke pasur parasysh kërkesat e klientëve nisa të fokusohem tek fustanet e mbrëmjeve dhe në 2013 kam organizuar sfilatën e parë, e cila u mbajt  në Prishtinë. Një grua është e bukur në çdo pikëpamje, duhet të duket ajo që është dhe ne bëjmë punën tonë për këtë”, tha Matoshi./tvklan.al