STOP – EMISIONI 223 (SEZONI 3)

Emision: 11.07.2018

Elbasan, 12 vjet në dyert e Aluiznit, Stop zgjidh problemin e qytetarit.

Përparim Qose tregoi në emisionin “Stop” se ka aplikuar për legalizimin e banesës së tij që në vitin 2006, por ende nuk ka mundur të pajiset me të.

“Ata nuk ma kanë legalizuar, më sjellin përqark. Gjatë gjithë kësaj kohe unë kam shkuar 1000 herë, më kanë thënë që është në përpunim dosja dhe më kanë përzënë”, tha zoti Përparim, të cilit i nevojitet sa më shpejt leja e legalizimit për të rregulluar tavanin që po i prishet, pasi në atë banesë ndodhen tre kurora.

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua ALUIZNI-t Elbasan, ku komunikoi me përgjegjësin Andrea Begu. Ai tha se pritej përgjigje nga Drejtoria e Hekurudhave për distancën e banesës së familjes Qose nga shinat e trenit.

“Objekti kishte një distancë që kërkonte domosdoshmërisht një konfirmim Hekurudhe. Në datën 11.06.2018 ka ardhur shkresa nga Drejtoria e Hekurudhave Durrës, e cila është shprehur se objekti i Përparim Qoses e respekton distancën e lejuar nga vija hekurudhore. Unë e kam trajtuar dosjen dhe ka dalë për vazhdim procedure për fazën e kualifikimit”, tregoi përgjegjësi i ALUIZNI-t Elbasan.

Tanimë çdo gjë është në rregull dhe Përparim Qose për 10 ditë do të ketë në dorë lejen e legalizimit, për të cilën është sorrollatur për plot 12 vjet.

Pogradec, i del hipoteka pas 12 vjetësh, por objekti është në tokën e vëllait.

Një tjetër qytetare tregoi në emisionin “Stop” problemet që ka hasur me legalizimin e banesës. Etleva Fero ndërtoi shtëpinë në vitin 1993, aplikoi për legalizim në vitin 2005, por leja i doli në vitin 2017 dhe si të mos mjaftonte kjo rezultoi me një ngatërresë. Ndaj dhe nuk mund të pajiset me certifikatën e pronësisë nga ZVRPP Pogradec.

Hartografi Alban Turshinka tha se pasuria e Reshat Feros është vendosur në atë të vëllait të tij, duke ndërruar pozicionin. “Kam hapur të gjithë dokumentacionin për të parë sesi është realizuar pjesa e regjistrimit të tokës dhe rezulton që pozicionet janë të ndërruara”, tregoi ai.

Por objekti i vendosur gabimisht në pronën e të vëllait nuk mund të korrigjohet pasi është kolateral dhe nën sekuestro në bankë.
I pyetur nga gazetarja e emisionit “Stop” nëse gabimi ka qenë i topografit, hartografi Turshinka u shpreh se nuk e di, por theksoi se nuk mund të ndërhyhet në kartelën e kësaj pasurie.

Nga ana tjetër, drejtori i ALUIZNI-t Korçë, Klajdi Ternova fajësoi topografin privat që ka bërë planin e rilevimit asokohe, i cili ka ndryshuar pozicionin dhe vendodhjen e objekteve të vëllezërve Fero.

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua zyrës së këtij topografi privat, të quajtur Nexhmi Ademaj.

Nexhmi Ademaj – Më le një fotokopje, më formulo dhe pyetjet mua!

Gazetarja – Si mund të zhbëhet ky gabim i bërë nga ana juaj, se i ka kushtuar Hipotekën sot zotërisë?

Nexhmi Ademaj – Me korrigjim gabimi, s’ka gjë. Hipoteka bën korrigjimin e gabimit. Ky me të vëllezërit, a ça ka.

Gazetarja – Nuk mund të bëhet korrigjimi i gabimit sepse është banka në këtë mes, prandaj nuk bëhet korrigjimi.

Nexhmi Ademaj – Në është banka, le të bëjë shlyerjen dhe të bëjë korrigjimin pastaj. Faleminderit… nuk kam, unë jam privat tani.

Ndërsa Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nëpërmjet një përgjigje zyrtare, tha se nga ZVRPP Pogradec duhet të administrohet gjithë dokumentacioni teknik ligjor që disponojnë palët dhe të vijohet me korrigjimet e duhura.

Pra dy vëllezërit duhet të paraqesin nga një akt noterial që kjo ngatërresë të mund të gjejë zgjidhje dhe ata të pajtohen me njëri-tjetrin.

Vajza me probleme dëgjimi, Stop dhe Spitali Amerikan zgjidhin problemin.

Në qershor, “Stop” transmetoi rastin fatkeq të Zije Cikoja, banuese në Griqan të Elbasanit, vajza 8-vjecare e të cilës ka probleme me dëgjimin. Ndërhyrja në Spitalin Amerikan kushton 1500 euro, dhe Zija nuk i ka këto para.Pjerin Radovani dhe klinika Radovani ofruan aparat dëgjimi falas për vajzën e vogël.Spitali Amerikan i mori përsipër ndërhyrjen dhe kujdesin deri në fund.Shumë qytetarë ofruan ndihma në të holla për voglëushen me mamanë e saj.

Kategori
STOP
0 Komente

Përgjigju

*

*