Hajredin Cera tregon për emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan se ka punuar minator në minierën e Valiasit dhe pasi u sëmur shumë rëndë, u trajtua me KEMP në shumën 110 mijë Lekë të vjetra, duke u llogaritur me pagë minimale.

Denoncuesi: Unë jam Hajredin Cera. Kam punuar nga Korriku i 1982-shit dhe deri në 30 Nëntor të vitit 96’ në minierën e Valiasit. Ndërkohë, gjatë këtyre viteve, unë kam marrë kualifikimin maksimal të një minatori. Pasi u mbyll minera në 1996-ën, u dogj komplet miniera dhe u bë e pashfrtëzueshme, ishin djegur të gjitha dokumentat aty. Në vitin 2000, qeveria nxorri një vendim që të gjithë minatorët që janë 40 vjeç, të ju jepet trajtimi i veçantë i minatorit.

Gazetarja: Sa e kishit pagën ju?

Denoncuesi: Unë në atë kohë e kam pasur 80 mijë Lekë. Në minierë punova 14 vite e 6 muaj pa ndërprerje. Në vitin 2009, unë u sëmura rëndë në mëlçi dhe shkova drejt vdekjes. Nuk dihej a kthehesha apo nuk kthehesha.

Gazetarja: Kur dolët nga spitali ju vazhduat procedurat për përfitimin e KEMP-it…

Denoncuesi: Po, e mora. Kur shkoj të marr paratë se sa më kishte rënë, më kishte rënë 110 mijë Lekë. Me pagat që unë kam marrë, paga nuk më dilte askund. Në mbarim të KEMP-it, doli vendimi i qeverisë që m’u ulën 5 vjet dhe fitova pensionin.

Gazetarja: Që në moshën 55-vjeçare?

Denoncuesi: Po. Në moshën 60-vjeçare dola në pension të plotë.

Gazetarja: Sa ishte vlera e pensionit?

Denoncuesi: 140 mijë Lekë. Bëra denoncimin në gjykatë. Pensioni duhej të më dilte tek 200 e sa mijë Lekëshi baza, plus shtesë.

Hajredini iu drejtua gjykatës dhe gjatë kësaj kohe doli në pension. Gjykata vendosi që llogaritja e KEMP-it të bëhej me një pagë në bazë të pozicionit të punës dhe Hajredini mori diferencat. Por pensioni sërish iu caktua në bazë të pagës minimale duke qenë se dokumentat ishin djegur. Hajredini tani kërkon llogaritjen e pensionit pasi gjykata vendosi llogaritjen e pensionit të invaliditetit, por jo të pleqërisë.

Denoncuesi: Gjykata vendosi që të ma çojë në vend, por tani ishte bërë. Kisha bërë kërkesë për invaliditetin, por doli dhe pensioni. Kisha 2-3 muaj që merrja pensionin. Ma dha vendimin gjykata. Më dha të drejtën.

Gazetarja: Është detyruar pala e paditur, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë që të rillogarisë përfitimin e invaliditetit sipas përcaktimeve dhe formulës të ligjit 7703/1993, neni 59 dhe 60. A është bërë rillogaritja e pensionit?

Denoncuesi: Jo, pensionin unë vazhdoj ta marr ashtu.

Gazetarja: Ndërkohë, diferencat e pensionit që ke marrë më parë, ai i ke përfituar, a i ke marrë?

Denoncuesi: Ndërkohë që unë mora përllogaritjen e invaliditetit që më takonte, nuk më kanë përllogaritur pensionin në vazhdimësi dhe ngelet pensioni po aty ku është.  

Instituti i Sigurimeve Shoqërore i kthen përgjigje se llogaritja, nëse nuk ekzistojnë dokumenta bëhet në bazë të pagës minimale. Tashmë Hajredinit i mbetet vetëm, që t’i drejtohet sërish Gjykatës që siç bëri me pensionin e invaliditetit, të vendosë edhe për atë të pleqërisë./tvklan.al