Përdoret nga 59% e burrave dhe 28% e grave

Shqiptarët duket se po i largohen konsumit të alkoolit pasi edhe numri i të alkoolizuarve po vjen në rënie. Studimi i fundit i Institutit të Shëndetit Publik nxjerr në pah se 59,6 % e burrave dhe 28,3%  e grave në Shqipëri konsumojnë alkool.

Ekspertët thonë se kjo shifër ka qenë më lartë në vitin 2009 kur 62,8% e burrave dhe 30,3% e grave konsumonin alkool. Në rënie të ndjeshme ka ardhur edhe numri i të alkoolizuarve.

Referuar tre studimeve të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik vërehet se kjo shifër ka rënë nga 27,5% në 2002 në 6,4%  për burrat e grupmoshës 14-44 vjeç ndërsa tek gratë kjo shifër varion nga 3,3% në 2002 në 0,8% aktualisht.

Specialistët kanë dalë në përfundimin se me rritjen e moshës, burrat kanë tendencë të konsumojnë më tepër alkool se gratë.

Sipas OBSH, në mbarë botën çdo vit rreth 3 milionë vdekje rezultojnë nga abuzimi me alkoolin, kjo përfaqëson rreth 5.3% të të gjitha vdekjeve. Abuzimi me alkoolin është gjithashtu përgjegjës për më tepër se 200 sëmundje apo lëndime.

Tv Klan