Kreu i grupit parlamentar të PDK kërkon shkarkimin e Gërvallës

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i është kundërpërgjigjur ashpër Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila tha se “Gjykata Speciale nuk është e instaluar nga Serbia, por nga deputetët e PDK-së”.

Sot na e dëshmove që Republika e Serbisë nuk ka më nevojë që të merret me Republikën e Kosovës, sepse të ka përfaqësuese ty në Kosovë. Ti je turpi i diplomacisë së Kosovës. Sot me dal edhe me thënë që Gjykata Speciale nuk u bë prej Serbisë është turpi më i madh për qytetarët e Kosovës. Sot dil dhe kërkoi falje qytetarëve të Kosovës, sepse ajo gjykatë është bërë me faktet e rrejshme dhe të sajuara nga qeveria e Serbisë. Dil dhe kërkoju falje qytetarëve dhe atyre që janë atje të akuzuar, sepse kjo gjykatë është bërë prej njerëzve me dëshmi sikur ju”.

“Sot nuk ka nevojë [Ivica] Daçiç me fol, sepse është Donika Schwarz – se atë mbiemrin tjetër [Gërvalla] po më vjen marre me ta përmend – me dal me fol për krimet që janë bërë në Kosovë. Ti në vend se me dal sot me i përmend viktimat, civilët, dhunimin që ka ndodhur në Kosovë ti del e flet me sajimet e Beogradit. Ti sot më shumë ngjason me përfaqësuesen e Republikës së Serbisë në Kosovë, me ambasadorin e Republikës së Serbisë në Kosovë, sesa me Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës”.

“Me dëgju një fjalë të tillë nga Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës është mjerim për këtë vend – është turp i madh. Dil kërkoju falje viktimave, grave të dhunuara për atë që the. Dil kërko që genocidi serb që ka ndodhur në Kosovë të dënohet. Është marre për ty. Ti je përfaqësuese e Serbisë në Kosovë, ti nuk më përfaqëson mua. Ti je turpi më i madh”.

Tahiri ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që ta shkarkojë Donika Gërvallën nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme.

Nëse do të kishim një kryeministër të përgjegjshëm do të duhej sot të shkarkonte. As edhe një minutë nuk mund të jesh Ministre e Punëve të Jashtme. Ky është turpi më i madh që ndodh me këtë vend. I bëjmë thirrje kryeministrit që ti nuk mund të qëndrosh më në këtë sallë, sepse nuk e përfaqëson qytetarin e Kosovës”./klankosova